Si e raportoi shtypi i huaj Kongresin e 10-të të Partisë së Punës

Analiza e Dritero Agollit për komunizmin

Sot shkrimtari i njohur Dritëro Agolli mbajti një fjalim në Kongresin e 10-të të PPS-së. Siç vihet në dukje në reportazhin që vijon, fjalimi i zotit Agolli ngjalli interesim të madh dhe shkaktoi debate të ashpra në radhët e delegatëve të kongresit.  Rinovimi i partisë, tha D.Agolli, mund të bëhet vetëm duke pranuar dhe korrigjuar gabimet kryesore të PPSH-së. Gabimi kryesor, tha ai, ishte diktatura e hekurt që vendosi Enver Hoxha për të mos lejuar asnjë mendim të lirë. Kushdo që kishte një mendim tjetër nga i tij zhdukej. Kushdo që ngrihej kundër izolimit lidhej me zinxhirë, kushdo që ngrihej kundër tufëzimit, i cili rrënoi plotësisht fshatin, përplasej në qeli. Nën maskën e kolegjialitetit miratoheshin vendime të marrëzishme. Kur nuk gjendej naftë, burgoseshin inxhinierët e talentuar të akuzuar për spiunazh. Praktikisht u zhdukën të gjithë anëtarët e mëparshëm të Byrosë Politike dhe të KQ-së. Ata që mbetën u bënë servilë, lakmitarë dhe karrieristë. Lufta e klasave u kthye në një terror në gjirin e popullit dhe të partisë. U rrit kulti i Enver Hoxhës, kulti i Partisë dhe kulti i Sigurimit të Shtetit. Morën përmasa të papara abuzimi, ryshfeti, u shemb tradita e burrërisë shqiptare. Zyrtarët e lartë bridhnin nëpër botë në një kohë që populli vuante.



Gabimi i dytë, tha zoti Agolli, ishte vija ekonomike, që varfëroi deri në ekstrem Shqipërinë, në këtë kohë, sipas burimeve nga Tirana, në sallën e kongresit bëhet një zhurmë e madhe. Delegatët provincialë fillojnë të bëjnë thirrjet në kor: “Parti-Enver jemi gati kurdoherë”. Shumë prej tyre kërkojnë që t’i pritet fjala zotit Agolli, të tjerë kërkojnë që ai të nxirret jashtë nga kongresi dhe nga partia. Shkrimtari i shquar e priti me gjakftohtësi këtë stuhi enveriste dhe duke iu drejtuar kongresit tha: “Me këtë qëndrim që po mbani këtu ju po provoni se PP-ja nuk do të rinovohet. Thirrjet tuaja jashtë çdo civilizimi janë shprehje e një partie që po jep shpirt”.

Mes thirrjeve histerike të mjaft delegatëve, Dritëro Agolli vazhdoi të bëjë analizën e rrugës së PPSH-së që e çoi Shqipërinë në katastrofë. Ai vuri në dukje humbjen e interesimit për punën, stimulimin e njerëzve të paaftë dhe luftën kundër të aftit, luftën kundër çdo gjëje të bukur.

Gabimi i tretë, vazhdoi D.Agolli, ishin shkelja e të drejtave të njeriut, nxitja deri në ekstrem e luftë së klasave, plotfuqia e agjentëve të Sigurimit të Shtetit, Shefat e kuadrit gërmonin biografitë e njerëzve. Njerëzit trembeshin nga njëri-tjetri. Kushdo dyshohej se ishte spiun.

Gabimi i katërt ishte politika e jashtme e izolimit të plotë. Dje na ofroheshin kredi dhe nuk i pranonim, ndërsa sot kërkojmë kredi dhe asnjeri nuk na jep. Frika e hijes së E.Hoxhës, theksoi D.Agolli, nuk e le PP-në të rinovohet. Në kongres e mori fjalën edhe presidenti Ramiz Alia. Ai fajësoi udhëheqjen, duke përfshirë edhe veten, për gjendjen e rëndë që po kalonte vendi. Ai foli në përgjithësi për gabime dhe për shkelje të të drejtave të njeriut, por në përgjithësi fjalimi pati pak elementë konstruktivë.

Radio “Zëri i Amerikës”

11 qershor 1991 /Copyright Gazeta Shqip


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.