Liverpooli e nis me spektakël sezonin e ri, por humbet portierin (VIDEO)

Liverpooli e ka nisur me një fitore të thjeshtë 4-1 sezonin e ri në Premier League ndaj Norwich. Skuadra e Jurgen Klopp i ka mbyllur llogarit e ndeshjes që në 45 minutat e para duke shënuar të gjitha golat.

Fillimisht në minutën e 7-të, pas një aksioni në krahun e majtë të Origit, sulmuesi i Liverpoolit ka krosuar në zonë, por mbrojtësi i Norwich, Hanley e ka devijuar në rrjetën e tij. I pafat kapiteni i ekipit të sapongjitur në elitën e futbollit anglez, i cili bëhet i dyti që e hap me autogol kampionatin pas Walker në sezonin 2015/16.

Të kuqtë shfaqën një ritëm të frikshëm duke gjetur rrugën e rrjetës me Salah në minutën e 19-të pas një aksioni personal, ndërkohë që 9 minuta më pas Van dijk realizon me kokë pas krosimit të egjiptianit.



Nuk kishte vetëm lajme të mira në këtë ndeshje, pasi në fundin e fraksionit të parë portieri Alisson detyrohet të braktis fushën pas një dëmtimi, duke i lënë vendin Adrian. 3 minuta më pas Origi realizoi dhe golin e katërt. Në fraksionin e dytë Liverpooli ul ndjeshëm ritmin duke pësuar edhe një gol, pasi Pukki u tregua i saktë në minutën e 64-t.

Në këtë mënyrë Liverpooli e nis mjaft mirë sezonin e ri, edhe pse disi në ankth për gjendjen e Alisson.





Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.