Basha braktis bashkitë e djathta, demokratët mbrohen me Metën

Opozita, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ishte përbetuar se nuk do t’i lëshonte bashkitë e drejtuara prej saj dhe se “zgjedhjet njëpartiake” nuk do të njiheshin. Por kur në shumicën e bashkive është bërë rotacioni, kryesisht pa shumë zhurmë, bastionet e PD që po rezistojnë akoma, janë ‘braktisur’ nga Basha.

Nga ish-deputetët dhe zyrtarët e lartë të PD nuk ka asnjë gjurmë, pasi janë arratisur në plazhe, pas sezonit të gjatë të protestave, ndërsa Lulzim Basha ka nisur një tur nëpër qytetet e Shqipërisë nga veriu në jug, duke u zotuar “për vënien në pranga të grabitësve të zgjedhjeve”.

Të mërkurën, PD humbi përfundimisht një nga bastionet kryesore të saj. “Kështjella” demokrate e Kamzës ra, pas 12 vitesh nën drejtimin e Xhelal Mziu, i cili po qëndron ende në zyrë, mbase për ditë të fundit, pasi sot në mesditë, shumë pranë bashkisë, në ambientët e një shkolle, u betuar kryebashkiaku i ri, Rakip Suli.



Thirrjes së Xhelal Mziut për protestë i janë përgjigjur disa dhjetëra militantë të PD-së, ndërsa nuk u shfaq asnjë zyrtar i lartë i PD në mbështetje të tyre. Të braktisur nga Basha, militantët vazhdojnë të mbrojnë bashkinë duke cituar dekretin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Zgjedhjet e 30 qershorit janë anuluar. Dekreti i presidentit është në fuqi. Kryetari i ri i bashkisë është ilegjitim, ne nuk e njohim atë. Dekreti i presidentit të republikës e thotë qartë se mandati i kryetarit të ri legjitimohet vetëm nëse do të ketë proces zgjedhor me pjesëmarrjen e të gjithë partive politike. Zoti Mziu është në krye të detyrës dhe në krye të punës”, është shprehur nënkryetari në ikje i bashkisë së Kamzës, Kotarja.

I vetmi reagim zyrtar për Kamzën, erdhi nga Edi Paloka. Sigurisht, jo nga terreni, por përmes një statusi në facebook.

“Ashtu siç po hyni, si grabitës , ashtu dhe do dilni shumë shpejt. “Hapuni” sa të mundni tani, po mbi zjarr po “hapeni”, shkruan Paloka.

Xhelal Mziu dhe qindra militantë të PD u lanë vetëm në mbrojtje të zyrës, edhe pse qëndresa e tyre është e kundraligjshme.

Tashmë të gjitha qëndrimet e Bashës për 30 qershorin kanë rënë, ashtu siç ka rënë edhe përbetimi për mos lëshimin e zyrave.

I vetmi bastion që nuk është dorëzuar ende është Shkodra e Voltana Ademit, e cila po lufton e vetme, jo vetëm kundër sovranitetit të popullit dhe vendimit të gjykatës për lirimin e zyrës, por edhe kundër ndërkombëtarëve.

Ambasadori i OSBE i shkoi për dy orë dje në zyrë, por sot kryebashkiakja në detyrë o zotua edhe një herë se nuk do ta lirojë zyrën, betejë me “mullinjtë e erës” që po e zhvillon pa ndihmën e Lulzim Bashës.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed.