Këshilltari i Sarkozisë befasohet nga “Kapidani” shqiptar

Këshilltari i ish presidentit francez Nicolas Sarkozy, Régent dhe ekspertja në çështjet e PR & komunikimit, Zoé Reyners  vizituan ekspozitën e artistit Shyryri Sako në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog , COD, duke u befasuar nga mjeshtëria e artit shqiptar.

Ekspozita “Duke pikturuar filmin”, sjell imazhe nga filma të ndryshëm shqiptarë që mbajnë firmën e pikturave të Sakos si Kapedani, Toka Jonë, Vitet e para, Komisari i dritës, Duel i heshtur, Operacioni i zjarrit, Dimri i fundit, Mësënjtorja etj. Piktori Shyqyri Sako ishte pjesë e gjeneratës të artistëve që punuan në ish Kinostudion “Shqipëria e Re”, si piktor filmi apo dhe piktor kostumogafë. Sako ka qenë piktor e mbi 40 filmave artistikë shqiptarë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare. Shyqyri Sako u lind në Selenicë të Pishës në Ersekë, në 5 mars 1937. Babai Pajazit Sako dhe nëna Razije Çarçani Sako patën nga martesa e tyre 6 fëmijë, katër vajza dhe dy djem ku Shyqyriu ishte fëmija më i vogël i familjes. Gjatë kohës së Luftës Nacional-Çlirimtare iu dogj shtëpija në fshat dhe pas vdekjes së babait në vitin 1940 dhe nënës në 1943, familja e tij prej 4 motra dhe 2 vëllezër vendosen në jetimoren e Korçës. Në Korçë artisti kryen shkollën fillore dhe atë 7 vjeçare. Mësimet e para për vizatim ai i mori në shtëpinë e pionerit nga piktori Guri Madhi dhe në shtëpinë e kulturës nga piktorët Vangjush Mio dhe Vangjush Tushi. Kreu studimet e mesme për pikture në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1951-1955), nën drejtimin e pedagogëve Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Odhise Paskali dhe Janaq Paço. Në vitin 1958 nisi studimet e larta në Institutin e Kinematografisë “VGIK” në Moskë, ku studio tre vite me radhë. Ai kthehet në Tiranë në 1961 për shkak të situatës së rëndë politike dhe i vazhdon ato në Institutin e Lartë të Arteve si piktor filmi dhe përfundon diplomimin si piktor filmi në vitin 1962. Gjatë kohës së diplomimit, Sako u caktua piktor kostumesh në filmin “Detyrë e posaçme” në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Gjatë periudhës 1962-1997 punoi në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe realizoi 40 filma artistik si piktor filmi dhe gjatë kësaj kohe po si piktor filmi ai ju përkushtua edhe krijimtarisë figurative në kinematografi, ku realizoi skenografi, kostume dhe postera të filmave artistik shqiptar.





Për vite me radhë Sako, bashkëpunoi me Gazetën “Drita” duke realizuar kështu ilustrimet e tregimeve të letrare që ajo botonte të dielave. Gjithashtu Sako ka bashkëpunuar me RTSH për emisionin e fëmijëve duke realizuar dekoracionet e emisionit të përrallave. Për këtë veprimtari artistike në 1987 ai është vlerësuar me disa çmime dhe me titullin e lartë “Artist i Merituar”. Shyqyri Sako ka marrë pjesë duke filluar nga viti 1955-2012 në shumë ekspozita kombëtare si dhe ka çelur 11 ekspozita vetjake në Greqi (Janinë), Zvicër (Monro) dhe Tiranë, me punime në pikturë, vizatim dhe akuarel, kryesisht në gjinitë e peizazhit dhe portretit. /Gazeta SHQIP





Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.