Telefonata e gabuar e adoleshentit gjobëvënës, si u zbuluan nga Policia

Në kohë të ndryshme tre persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin u vendosnin gjoba personave të ndryshëm. “Truri” i këtij grupi kriminal ka qenë 3o vjeçari Edmond Gecaj, arrestuar nga Policia, ndërsa “xholi” që përdorej për ta nisur gjobëvënien ishte një 18 vjeçar i arrestuar nga Policia. I treti në këtë grup është i shpallur në kërkim.

Por, më shumë se krimi që nuk është i një lloji të veçantë, sepse ka ndodhur shpesh në Shqipëri, taktika e përdorur për aktivitetin e grupit kriminal ka qenë disi e veçantë. Ka mjaftuar një telefonatë e gabuar e adoleshentit të arrestuar për të zbuluar grupin.



Por si u zbulua ky grup kriminal? Burime të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur për Gazetën Shqip, se hetimet për këtë krim kanë nisur në muajin qershor, kur një qytetar i ardhur nga Londra për të kaluar disa ditë pushime në Shqipëri është paraqitur në Policinë e Tiranës me një denoncim.

Ai ka deklaruar se një person i kishte lënë një letër në xhamin e makinës, makinë, që e kishte marrë me qera për aq ditë sa do të qëndronte në Tiranë, në të cilën i ishte shkruar: “Më telefono sa më parë të mundesh”.

Në këto kushte denoncuesi, emri i të cilit nuk bëhet publik për të ruajtur plotësisht anonimatin e tij e merr në telefon dhe i prezantohet personit që kishte lënë këtë shënin, madje duke i thënë se nuk e njihte personin që iu prezantua në telefon dhe se makina ishte marrë që në Rinas me qera.

Madje, i gjobituri në këtë rast e ka telefonuar, duke menduar se mund të ishte ndonjë përfaqësues i kompanisë në të cilën ai kishte marrë me qera automjetin e tij.

Por, këtu fillon historia. Sepse, personi që i kishte lënë numrin e telefonit e kërcënon se nëse nuk paguante një sasi parash, atëherë do ta denonconte ai me pretendimin se i kishte goditur makinën dhe se ishte larguar nga vendngjarja.

Kjo është zanafilla e ngjarjes, e cila për Policinë ishte thuajse e zbardhur, por provat e akuzës nuk mund të siguroheshin me shpejtësi. Pas kësaj, u vendos që numri i telefonit të personit që e kishte lënë në xhamin e makinës të vendosej në përgjim të menjëhershëm, vendim që u mor po me kaq shpejtësi nga Gjykata.

Në harkun kohor të pak ditëve, adoleshenti i arrestuar u vu në përgjim dhe personat e tjerë u zbuluan pikërisht nga komunikimet bashkarisht. Policia thotë se adoleshenti në një rast ka thënë të bëhen gati për pushime, sepse shuma e parë ka mbërritur në dorën e tij.

Ende nuk dihen lidhjet mes adoleshentit dhe dy personave të tjerë, njëri prej të cilëve në kërkim, nëse janë lidhje farefisnore, apo thjesht bashkëpunëtorë në këtë krim. Por, Policia është e bindur, se adoleshenti në këtë rast ka qenë i përdorur nga dy të rriturit, pjesë e këtij grupi kriminal.

Jo vetëm kaq, por, Policia ka të dhëna të sakta se këta persona janë gjobëvënës edhe të disa personave të tjera sigurisht në shuma të vogla, ndërsa shtojnë se mund të ketë edhe raste të tjera, që mund të mos jenë denoncuar.

Sipas policisë, dy të arrestuarit dhe një i tretë që është në kërkim, i kanë vendosur gjobë 12.000 euro emigrantit shqiptar, të cilit i kanë marrë 7.500 euro. Sektori i Krimeve të Rënda përdori dhe metoda speciale hetimi, një prej të cilave ishte edhe pagesa nga ana e të kërcënuarit.

Sasia e parave është dhënë nga Policia, sipas procedurës që mbahet në këto raste me numrat e serive dhe procesverbalin përkatës. Të arrestuarve u është gjetur një pjesë e parave, që përkonte me ato që ishin vendosur në dispozicion të hetimit.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed.