Çili: Ja çfarë ofron UET i dekadës së dytë, më shumë degë e profile

*Shkrim promocional

Kryetari i Bordit të Administrimit në Universitetin Europian të Tiranës, Henri Çili, i pranishëm në rubrikën “Opinion” në “Neës 24”, foli për filozofinë e re të arsimit dhe se çfarë në vetvete ofron ky universitet për maturantët shqiptarë.

Henri Çili – Ka kaluar gjashtë muaj kohë dhe në një farë mënyre gjërat kanë dekantuar dhe jemi të pjekur për të dhënë një gjykim, por në radhë të parë lajmi më i rëndësishëm nga perspektiva ime, puna ime e përditshme në Universitetin Europian të Tiranës, është fakti që dje ka filluar plotësimi i portalit për 40 mijë maturantët shqiptarë të këtij viti dhe të viteve të tjera, ku në një sistem shumë konkurrues, me shumë oferta akademike, maturantët po zgjedhin dhe po përzgjedhin për të katërtin vit radhazi, me anë të sistemit të ri ku janë të përfshirë të gjitha universitetet shtetërore dhe private.

Tani kthehemi menjëherë te gjendja në të cilën ndodhet konteksti i arsimit të lartë në Shqipëri. Po ka pasur në Shqipëri një debat shumë të gjatë dhjetëvjeçar, por sidomos pesë vitet e fundit për reformën në arsim dhe ka pasur një akt ose një proces midis dhjetorit dhe janarit që ka qenë greva e studentëve dhe këto të dyja e kanë futur situatën e arsimit të lartë në një gjendje të re, e cila po shihet, po dekantohet, por precipiton për të parë se çfarë do të ndodhë.

Në parim, ndjeshmëria e shoqërisë shqiptare ndaj arsimit arriti kulmin me këtë grevë, ndjeshmëria e studentëve vetë arriti kulmin, adresimi i zgjidhjeve që përmban Pakti për Universitetin ha diskutim. Këto zgjidhje kryesisht u bënë nën presionin populist, nën interesat elektoraliste dhe nën një mentalitet të vjetërsuar, të prapambetur që nuk u përgjigjet politikave publike bashkëkohore që e modernizojnë sistemin e arsimit të lartë dhe e bëjnë atë konkurrues, të dobishëm për aktorët shoqërorë, të dobishëm për studentët, të dobishëm për prindërit dhe konkurrues në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Sot fillojnë aplikimet për maturantët për të gjitha universitetet shtetërore dhe private. Çfarë mendoni për bilancin e kësaj procedure që doli nga ligji i arsimit të lartë?

Henri Çili – Në ligjin e Arsimit të Lartë parashikohet një procedurë e unifikuar për të gjithë sistemin universitar, pavarësisht nga lloji i operatorëve të arsimit të lartë dhe kjo në vetvete është diçka pozitive, sepse ka një formalizim shumë më të lartë, ka një saktësi të dokumentacionit dhe u lejon palëve të parashikojnë, të krijojnë tendenca dhe nga viti në vit të analizojnë.

Sigurisht ky sistem i testuar tri vitet e kaluara dhe për herë të parë dhe këtë vit, ndoshta është viti i tretë, por është duke u kolauduar, është duke u testuar, ka problemet e tij, por mbetet që çdo gjë që provohet të testohet. Ne kemi opsionet tona edhe si institucion, por edhe bashkë me disa kolegë të tjerë të institucioneve private, se si kjo duhet të funksionojë, por janë zgjidhje teknike për ta lehtësuar procesin, duke i ruajtur besueshmërinë, formalizmin, korrektësinë dokumentare, si dhe idenë e parashikueshmërisë dhe planifikimit strategjik.

Arsimi i lartë është një sektor që lëviz shumë ngadalë, ndryshimi ka shumë inerci, gjërat duhet të zënë vend si praktika të mira dhe praktika të këqija. Ne kemi nisur një dialog me autoritetet për këtë kontekst, për këtë sistem, ku kemi opsionet tona pas testimit dy ose tre vjet, të cilat presim t’i diskutojmë në një kohë të përshtatshme pas përfundimit të këtij procesi. Por diçka duhet thënë, ne kemi një sistem mjaft më të besueshëm regjistrimesh, matrikulimesh, dokumentacionesh dhe vërtetimesh në krahasim me më parë, përpara se ky sistem të fillonte ose të ishte në fuqi, në një farë mënyre këto verifikime bëheshin pas.

Sot, përpara se dikush të fitojë statusin e studentit, është praktikisht i skanuar në lidhje me mesataren, mbarimin e shkollës së mesme dhe elemente të tjera. Kjo është pjesë e formalizimit të shoqërisë dhe pjesë e modernizimit të shoqërisë, problemi është që ky modernizim mos të bëhet mbytës dhe kufizues për të drejtën bazë të studentëve, për universitete shtetërore apo private, me para publike apo me bursa apo kredi studentore, të mund të gjejnë vendin e tyre sipas dëshirës universitare.

UET, vitin e kaluar, pati një riorganizim, zgjerim fakultetesh dhe programesh të reja. Çfarë ka të re ajo që ju e quani në komunikimin tuaj, ajo që ju e quani dekada e dytë e UET?

Henri Çili – Faleminderit për këtë pyetje. Universiteti Europian i Tiranës sapo ka përmbyllur në një farë mënyre një proces gati 18-mujor transformimi që në semestrin e dytë të vitit të kaluar akademik. U konceptuam, u bë një riorganizim i gjatë i universitetit, strukturës së tij, ofertës akademike, pajisjes me profile për të gjitha programet, diplomave të reja dhe cikleve të diplomimit.

Ky proces erdhi në fillimet e dekadës së dytë, pasi UET kishte shpallur në strategjinë vet që “Ne do të zgjerohemi në degë të reja ose në elemente të tjera, vetëm pas dekadës së parë, pasi të marrim certifikimet ndërkombëtare. Në vitin 2017, UET u akreditua nga agjencia britanike me pikët maksimale. Kjo na krijoi siguri që të shkonim më tutje. Cila është fryma e re e universitetit? Kalimi gradual me kostot e veta dhe me vështirësitë e veta brenda, nga një universitet i kufizuar për disa degë në një universitet shumë funksionesh, polivalent. Çfarë nënkupton kjo?

Kjo nënkupton idenë në UET, duke shfrytëzuar praktikat e mëparshme të mund të zgjeroheshin në ato fusha që jo vetëm ka nevojë tregu, por edhe në shkenca teknike, inxhinieritë dhe arkitektura, siç janë sportet dhe artet e aplikuara, shkenca mjekësore, por edhe grup degësh sokratike, siç janë linguistika, filozofia apo studimet fetare dhe historia.

Nga ana tjetër, kjo krijoi mundësinë që universiteti të bëhet jo vetëm interdisiplinar, por dhe multidisiplinar, pra që i gjen të gjitha degët në UET, të gjitha pasionet e tij dhe në një farë mënyre merr edhe jetë me disiplinat përkatëse. Po ashtu, një detyrë e universitetit ishte akomodimi i studentëve me mesatare nën 6.5 dhe për këtë kemi hapur me një sukses të madh të pesë diplomat profesionale në menaxhim, turizëm, kontabilitet, dizajn i aplikuar dhe modë, të cilat akomodojnë këta studentë.

Ne kemi aplikuar për masterin ekzekutiv dhe presim legjislacionin, një diplomë e re për të marrë këtë licencë dhe në një farë mënyre një kompletim që krijon mundësinë që universiteti të kalojë në një dimension të ri, polivalent dhe multifunksional. E fundit, ne sapo mbyllëm me vendim pozitiv të Këshillit të Akreditimit, akreditimin e pjesshëm institucional për dy fakultete të reja, për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike dhe Fakultetin e Inxhinierisë dhe Arkitekturës, gjë që e bën UET plotësisht me programe dhe akreditim institucional të plotë në këtë formulë të re.

Kjo formulë e re po e jep rezultatin e saj fantastik, ka një rritje cilësore dhe sasiore të interesit për degët e reja dhe mund të them që sistemi i interesimeve dhe para kontratave është dukshëm disafish më i madh se kur universiteti ishte më i kufizuar në ofertën e tij akademike.

Megjithatë, ka një numër të madh studentësh që janë të prirur të studiojnë jashtë vendit, ju si e shihni këtë fenomen?

Henri Çili – Studentë shqiptarë që kanë ikur jashtë ka ndodhur jetë e mot. Edhe vetë jam një nga ata që kanë studiuar jashtë dhe kjo është pjesë e hapjes jashtëzakonisht pozitive e integrimit të shqiptarëve. Dija, diploma, praktika që ata kanë sjellë ose nga universitetet më të mira ose më pak të mira perëndimore janë pjesë e kulturës sonë të tranzicionit, janë pjesë e përvojës dhe janë kontribut në zhvillim. Çështja është sasia dhe proporcioni i këtyre ikjeve jashtë studentore. Presidenti i UET, Selami Xhepa, kishte bërë një artikull interesant, kishte hapur një debat te gazeta “Panorama” në lidhje me rritjen shqetësuese të këtij fenomeni. Pra përtej një pike ky është një fenomen shqetësues.

Tregon që sistemi universitar në 30 vite, me reforma ose pa reforma, me sistem privat ose shtetëror nuk i përgjigjet kërkesës së prindërve apo studentëve shqiptarë për një cilësi më të mirë për t’i mbajtur këtu përtej një shifre normale që do të ikë gjithmonë.

Së dyti, ikja nëpërmjet arsimimit është një nga format e emigrimit në Shqipëri. Së treti, ne si Shqipëri ndodhemi në një absurd dhe për mua është pjesë e një debati të ri, të cilin mendoj se duhet ta hapim për një narrativë të re të pozicionimit të arsimit të lartë në Shqipëri dhe të arsimit të lartë privat, sepse qeveria “ka punët e veta” në universitetet shtetërore dhe është pjesë e planit të saj politiko-populist edhe elektoralist, dhe çdo gjë kështu e ka bërë, nuk është çështje e qeverisë së majtë apo të djathtë.

Debati është pak a shumë, a i përgjigjemi ne një kërkese të studentit shqiptar për edukim cilësor? Fatkeqësisht jo akoma, edhe pse ka shenja, edhe pse ka prova të besueshme në disa institucione të arsimit të lartë, përfshirë disa kolegë tanë, të cilët nuk kam asnjë hezitim t’i përmend si Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë, Universiteti Epoka, Universiteti Luarasi, Universiteti Polis, Universiteti i Neë York, Universiteti Marin Barleti, të cilët kanë dhënë prova shumë të besueshme gjatë këtyre 15-16 vjetëve të përmirësimit të logjikës në arsimin e lartë.

Kjo ende nuk mjafton, sepse lënia në mes e reformës së arsimit të lartë, mosfutja e arsimit të lartë në kushte kompeticioni apo konkurrueshmërie, e bën ndryshimin shumë të ngadaltë, madje e bën degradimin më të shpejtë dhe fatkeqësisht njerëzit, duke parë që kjo cilësi nuk përmirësohet, zgjedhin diçka tjetër. Për mua është një kambanë alarmi për treguesit e zhvillimit të shoqërisë, tregues shqetësues, i cili duhet të na bëjë të mendohemi të gjithëve si aktorë shoqërorë, si pjesëmarrës në debat, si profesorat në mënyrë që sistemi ynë arsimor të shkojë sa më shumë drejt kushteve të një tregu më shumë konkurrues, që të sjellë një produkt dhe një diplomë sa më cilësore në shërbim të studentëve, prindërve, aktorëve shoqërorë dhe të botës së punës.

Faleminderit dhe dua të përfitoj nga rasti të inkurajoj maturantët të zgjedhin, të informohen, të zgjedhin ofertën më të mirë, mënyrën më të mirë, cilësinë më të mirë, sepse kjo është një fazë e papërsëritshme në jetë, është një energji që nuk kthehet më, të shkojnë sa më shumë në shkollë, cilado qoftë cilësia e saj, sepse është gjithsesi më mirë se një nivel arsimimi. Zigmund Pauman, në teorinë e integrimit të lartë dhe të ulët thotë: “Të kesh një diplomë nuk është e sigurt që ke një punë, por të mos kesh një diplomë është e sigurt që nuk ke një punë”.

 

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.