Gabimi “pa dashje” apo frika e SPAK?! Si u zbuluan miliona eurot e korrupsionit të ish-zyrtarit

Ferdinand Shehu është i pari zyrtar, apo ish-zyrtar që merret vendimi për sekuestrimin e pasurisë së tij, e cila ishte jo pak por në vlerën e 1.5 milionë euro. Pasuria e tij, sipas burimeve nuk ishte vënë gjatë viteve të fundit. Sepse personi në fjalë nuk ka qenë objekt i ndonjë hetimi, apo kandidimi fjala bie në organet e reja të sistemit të drejtësisë, çka nënkupton përfshirjen në një hetim të thellë edhe për të ardhurat në bankë.

Nëse do të ishte kështu, zbulimi mund të bëhej privatisht nga banka. Por, në rastin e Ferdinand Shehut ka qenë vetë ai që vuri në lëvizje bankën, pasi tentoi të transferonte jo pak, por plot 1 milionë euro nga llogaria e tij jashtë vendit, me arsyetimin “investime”.

Si lindën dyshimet për pasurinë e paligjshme


Dyshimet lindën menjëherë dhe bazuar në ligjin me numër 9917 të miratuar në 19 maj të vitit 2008 që bën fjalë për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, bankës së nivelit të dytë i lind e drejta të njoftojë organet kompetente, në rastin konkret Drejtorinë e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Kjo e fundit, përmes strukturave të saj njofton Policinë dhe Prokurorinë dhe të tre këto njësi hetimi mundësojnë verifikimin e plotë të llogarisë bankare, kohën e depozitimit, por edhe burimin e të ardhurave, nëse kanë qenë të ligjshme, apo të paligjshme.

Për rastin e Ferdinand Shehut janë dashur vetëm pak ditë hetime nga hetuesit operativë të Policisë dhe Prokurorisë, që në fund vendosën sekuestrimin e sasisë së parave, madje edhe të vlerës prej 500 mijë euro, që Shehu kishte bërë kërkesë në bankë për mbylljen si depozitë me afat.

Për Ferdinand Shehun u kërkua gjithashtu informacion nga Hipoteka, lidhur me pronat e tij, dhe më u kërkuan informacione të detajuara nga drejtoritë e tatimeve dhe doganave, për hetime të thelluara e kapilare. Nga e gjithë kjo rezultoi se Shehu kishte një shumë të konsiderueshme parash, por pa biznes dhe pa prona të tjerë të shitura, apo të blera. Sipas hetuesve ishte shumë cash, tërësisht e pajustifikueshme.

Vigjilenca e treguar nga filiali i bankës

Në ligjin për masat parandaluese të parave të pista, me numër 10.391 të ndryshuar në marsin e vitit 2011, janë të përcaktuar detyrimet e bankave ndaj subjekteve apo individëve me sasi të mëdha parash në qarkullim.

Madje, në një nen të këtij ligji është specifikuar edhe “vigjilenca e bankave”, ku janë përshkruar qartësisht detyrimet, që kanë të bëjnë me rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që mund të lindin nga klientë ose biznese, duke përfshirë por jo duke u kufizuar në:

  1. i) një politikë për pranimin e klientit;
  2. ii) një politikë për zbatimin e procedurave për vigjilencën e zgjeruar në rastin e klientëve dhe transaksioneve të kategorive që paraqesin rrezik të lartë;

Në këtë pikë të ligjit përfshihet ajo që ka ndodhur me ish-zyrtarin e lartë Ferdinand Shehu. Në një tjetër pikë të këtij ligji, e shoqëruar me rregulloret përkatëse të bankave ka edhe një detyrim, sipas të cilit çdo subjekt, apo individ ndalohet të kryejë transaksione në një shumë të barabartë në vlerë ose më të madhe se 60 milionë lekë të vjetra, ose kundërvlerën në monedha të huaja.

Ndërkohë, nga edhe një tjetër të drejtë dhe detyrim banka që lidhet me njoftimin menjëherë të subjektit, apo individit që kërkon të kryejë:

një transfertë të drejtpërdrejtë brenda ose jashtë vendit në një shumë të barabartë ose më të madhe se 100 000 (njëqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të huaja;

një transaksion me një shumë të barabartë me: jo më pak se 200 000 (dyqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të huaja për subjektet e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “g” të nenit 3 të këtij ligji;

Jo më pak se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, kryer në një transaksion të vetëm, ose në disa transaksione të lidhura me njëritjetrin.

Nëse shuma e transaksioneve nuk dihet në kohën e veprimit, identifikimi duhet të kryhet sapo të bëhet e ditur shuma dhe të arrihet pragu i mësipërm; kur ka dyshime për vërtetësinë e të dhënave të identifikimit të marra më parë;  në të gjitha rastet kur ka të dhëna ose dyshime të mjaftueshme për pastrim parash ose financim të terrorizmit, informohen organet e hetimit, në këtë rast Prokuroria dhe Policia.

Propozimi për ligjin e ri

Personat e ekspozuar politikisht, të cilët janë zyrtarë të lartë që janë subjekt i ligjit për deklarimin e pasurive, do të monitorohen nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave Pista edhe 5 vjet pas lënies së detyrës.

Ndryshimet ligjore kanë shkaktuar debate të forta për shkak të ndryshimeve në nenin 2 të ligjit të parandalimit të pastrimit të parave, ku u shtohej vigjilenca edhe për anëtarë të familjes së tyre, personat që zyrtarët kanë marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi.

Komisioni i Ekonomisë nuk i ka votuar ndryshimet në këtë ligj, deri në qartësimin e definicionit se cilët quhen persona që kanë marrëdhënie të ngushta me politikanë e zyrtarë, në mënyrë që të mos bëhen investigime abuzive.

©Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.