Basha nuk e pranon ‘dorëheqjen’ e Metës: Zgjedhje lokale e të përgjithshme në një datë, por jo presidenciale

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Mati ku ishte në një takim me strukturat e PD-së deklaroi se është dakord për zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme në të njëjtën ditë, (pa specifikuar një datë konkrete) por ndryshe propozimi i Metës nuk ka kërkuar që të zhvillohen edhe zgjedhjet për presidentin.

Basha tha se nuk ka hequr dorë nga kushti i tij, largimi i Ramës nga posti i kryeministrit, sipas së cilit është e vetmja mënyrë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndryshimit politik dhe zhvillimit ekonomik, teksa nuk i ka kursyer akuzat se Rama është shkaktar kryesor për krizën politike që po kalon vendi.

“Do të vazhdojmë me denoncimet dhe  me protestat, si mjet për një nga qëllimet e pandryshuara të opozitës: zgjedhje të parakohshme parlamentare me qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër dhe zgjedhje lokale legjitime në një ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rrugën e zhvillimit po e pengon dhe e po e bllokon Edi Rama. Hajdutëria e tij, babëzia e tij, pakti me oligarkët, janë arsyet se pse vendi është varfëruar, pse buxheti i shtetit nuk shkon në shërbim të qytetarëve, por vidhet për t’i shërbyer Edi Ramës dhe klikës së tij, pse pasuritë e pafundme të Shqipërisë,  në vend që të shërbejnë për mirëqenien e njerëzve, pasurojnë një grusht oligarkësh dhe varfërojnë pjesën tjetër të vendit”- u shpreh kreu i opozitës në Mat.




Comments are closed.