“Teatri” i Partisë Demokratike, para Teatrit Kombëtar…Basha si aktor pa rol!

Nga Zilie FEÇI

Ndoshta mund të duket e çuditshme, por 30 qershori ka qenë dita e mallkimit të madh të Partisë Demokratike. Sepse, në këtë ditë demokratët, por mbi të gjitha Basha kanë humbur gjithçka. Opozita në tërësi nuk drejton asnjë bashki, nuk ka asnjë këshilltar bashkiak në 61 bashkitë nga cepi më verior e deri në atë më jugor të vendit.

Por, edhe në pushtet qëndror, Basha thuajse është jashtë çdo segmenti të pushtetit, qeverisë, parlamentarizmit e çdo gjëje tjetër. Djegia e mandateve në muajin shkurt e ka lënë Bashën dhe ish-deputetët e tij jashtë politikës. Kostot bien mbi të gjithë, por pa diskutim, që më shumë se kushdo është lideri Lulzim Basha, që duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për këtë “shkrirje” apo “rënie të lirë” të PD.

Basha ka humbur çdo gjë. E vetmja fije ku mund të kapej dhe ndoshta mendonte se mund të kishte sado pak përfitime politike ishte “investimi” te Teatri Kombëtar. Por më shumë duket si një “teatër” i PD përballë Teatrit Kombëtar, sesa një kauzë politike, qoftë edhe për një ditë të vetme. Më shumë duket si një “vëmendje mediatike”, sesa një qëndrim politik opozitar.

Edhe vetë Basha është i paqartë. Kur e pyet se çfarë do bëhet më tej, lideri demokrat nuk e ka një përgjigje të saktë. Kryedemokrati nuk ka korrur asnjë fitore të tijën, dhe njësoj si humbjet në të shkuarën, kauzën për Teatrin po e shkatërron. Sepse, debati për Teatrin nuk ka qenë asnjëherë në fjalorin politik të Bashës.

Kanë qenë aktorët ata, që janë shprehur kundër prishjes, por Basha ka hyrë si “fant spathi”, si një kryetar i partisë që nuk është në parlament.

Ndaj, Basha më shumë se një mbrojtës i godinës historike të artit, duket si një aktor pa rol. Sepse, më shumë e politizoi këtë çështje, që deri dje pati protagonistë aktorët, ndërsa sot hyn në lojë në mënyrën më të keqe të mundshme Lulzim Basha.

©Copyright Gazeta SHQIP





Comments are closed.