Dy vjet si president/ Njihuni me 16 dekretet që refuzoi Ilir Meta, për të rrëzuar “Rilindjen”

Si sot dy vjet më parë Ilir Meta u ngjit në fronin presidencial. Sigurisht përmes një ceremonie që është bërë tashmë traditë në Shqipëri, ku kanë qenë të ftuar përfaqësuesit më të lartë të Qeverisë shqiptare dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

24 korriku është dita e ndërrimit të postit presidencial. Por sa të frytshme kanë qenë këto dy vite të qëndrimit në karrigen e kreut të lartë të shtetit nga ana e Metës?



Shumë mund të mendojnë se Ilir Meta është i duhuri, madje i tillë pas deklaratës që artikulohet edhe si batutë nga të gjithë ajo “me qetësi dhe dashuri”. Por, duket se Ilir Meta e ka humbur edhe qetësinë, edhe dashurinë.

Në 24 muajt e “qeverisjes presidenciale”, Ilir Meta nuk ka dekretuar plot 16 ligje, që janë dërguar nga Parlamenti dhe kanë qenë ligje të miratuara me shumicën e votave parlamentare. Madje, disa edhe me prezencën e asaj opozite që në shkurtin e këtij viti vendosë të djegë mandatet, duke ua lënë vendin opozitarëve të rinj.

Por cilat janë ligjet e padekretuara nga Meta? Një prej tyre ai për disa shtesa në “Qeverisjen Vendore”. Dhe kjo ndodhi pak para zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Më pas ligji për materialet e Rezervave të Shtetit, ku bëhet fjalë për pasuritë e Shqipërisë që nga floriri e deri tek ato me vlera më të vogla.

Një tjetër ligj për të cilin pati dhe ka ende debat është ai për “Shembjen e Teatrit Kombëtar”, një ligj për të cilin Presidenti e paragjykoi që në fillim, madje ende pa u prezantuar projekti i ri.

Jo më pak të rëndësishëm, por që nuk morën dekretuese të Ilir Metës kanë qenë dy ligjet “Për Kadastrën” dhe ai për “Përmbaruesit Privatë”, që sipas argumenteve të kreut të shtetit kanë qenë larg pritshmërive të tij. Por mbi të gjitha ka qenë edhe mosdekretimi i ligjit “Për lojërat e Fatit”.

Por, ndërkohë Meta ka ngurruar të firmosë edhe dekrete, ku argumentet juridike nuk janë dashur thuajse në asnjë rast. Këtu është fjala për mosdekretimin fillimisht të ministrit Sandër Lleshaj dhe më pas të Gent Cakajt.

Për të parin kishte si argument gradën e tij Gjeneral, për të dytin zyrtarisht nuk u tha asgjë, por ajo që dihet tashmë ishte lufta që kishte ndezuar Ditmir Bushati brenda socialistëve por me ndihmën e Ilir Metës.

Akti i fundit që Ilir Meta bëri, ishte dekretimi i një date tjetër zgjedhjesh, që në sytë e shumë qytetarëve u pa si një shërbim i denjë për opozitën.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed.