Tre vite pas miratimit, ky është bilanci i reformës në drejtësi!

Nga Zilie FEÇI

Shifra 140 e fiksuar në ekranin qëndror të vendosur në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet mend mirë nga të gjithë shqiptarët.

Sepse, për herë të parë në atë ekran me shumë ngjyra është shifra e pabesueshme “140”, e shfaqur për herë të parë dhe ndoshta të vetme mesnatën e 21 dhe 22 korrikut të vitit 2016. Eshtë shifra e deputetëve që votuan Reformën në Drejtësi, e vetmja me unanimitet të plotë të të gjithë përfaqësuesve të popullit që janë konsensusin si kurrë më parë.





Në fakt, miratimi i Reformës në Drejtësi ishte tre vjet më parë një nga zhvillimet më të rëndësishme ligjore në historinë gati 30 vjeçare të pluralizmit shqiptar. Ligjvënësit shqiptarë pavarësisht divergjencave të shprehura paraprakisht, por nën presionin ndërkombëtar, mbështetën unanimisht reformimin tërësor dhe kapilar të sistemit të drejtësisë.

“Miratimi i reformës në drejtësi, mbi të gjitha, është një fitore për popullin shqiptar. Përkushtimi juaj e ka bërë Shqipërinë një vend më të drejtë dhe më demokratik. Përgëzoj parlamentin për gjetjen e konsensusit nën trysni jashtëzakonisht të madhe. Shtetet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur hartimin dhe negocimin e kësaj pakete të reforme fortë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë jetëgjatë, e cila tani është shumë më e fortë”, thuhej në deklaratën e ambasadës së SHBA pak pas miratimit të kësaj reforme në kuvend mëngjesin herët të 22 korrikut.

“I siguroj shqiptarët që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do t’i fshijë nga sistemi i drejtësisë, fshesa e hekurt e vetingut, në një luftë të egër me killerat parellinj dhe politikën e mbrapshtë që nuk do të rreshtë”, shprehej kryeministri Edi Rama natën e gjatë të miratimit të reformës në Kuvend. “Suksese kësaj reforme historike dhe le të vazhdojë ky konsensus edhe për reforma të tjera”, tha kryetari i I atëhershëm i Kuvendit Ilir Meta pas votimit i cili u shoqërua dhe me duartrokitje edhe nga ndërkombëtarët të cilët po ndiqnin seancën. Ndërkaq, kreu i selisë blu Lulzim Basha në një prononcim të shkurtër për media u shpreh: “Urime të gjithë shqiptarëve”.

Prej 2016 e deri më tani, Reforma në Drejtësi vijon ende të jetë tema e ditës në politikën shqiptare, pasi tre vjet pas miratimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, kjo reformë po tregon rëndësinë e saj ende pa u zbatuar drejtpërdrejt.

Po çfarë është Reforma në Drejtësi? Si ka vijuar procesi i zbatimit të saj nga miratimi në Parlament dhe deri më tani? Cili është institucioni më i rëndësishëm i kësaj reforme dhe kur pritet të jenë rezultatet e para?

Këto janë pyetjet që askush nuk mund t’ju japë përgjigje të shpejtë, sepse të gjithë tashmë janë përfshirë nga frika e zbatimit të saj. Madje, Reformën në Drejtësi kryeministri Rama e pati kryefjalë të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Më shumë se një dëshirë e Ramës, zbatimi i Reformës në Drejtësi, që për hir të së vërteës erdhi si presion ndërkombëtar për të ndarë njëherë e mirë Shqipërinë nga një system gjyqësor i korruptuar.

Vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Euralius qëndruan në “udhëheqje” deri në miratimin e saj, duke pasur si objektiva dy pika. Së pari rritjen e pavarësisë së gjyqësorit sidomos nga politika dhe së dyti çlirimi i të gjithë sistemit nga korrupsionin.

Megjithatë, më shumë se miratimi në tërësi, për zbatimin e Reformës janë hartuar  një sërë ligjesh të reja, që parashikojnë krijimin e disa institucioneve të reja të drejtësisë, si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dhe Vettingu, i përbërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioni i Posaçëm i Apelimit. Në fakt, janë dy hallkat kryesore të cilat bëjnë vlerësimin tërësor për çdo prokuror dhe gjykatës, përpara se ai të kërkojë të emërohet në një nga institucionet e reja të drejtësisë, pavarësisht se palët as që bien dakord me këto zhvillime.

Nëse u referohemi shifrave, trupat gjyqësore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose Vettingu në shkallën e parë ka shkarkuar rreth 40 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse, sipas tyre janë gjetur me probleme në pasurinë e tyre, apo nuk kanë paraqitur prova të mjaftueshme të aftësive të tyre profesionale. Megjithatë, procesi i Vettingut, që parashikohet të vijojë edhe për dy vjet, tashmë ka kaluar  në sitë një numër të konsiderueshëm të gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët pritet të jenë gati për të plotësuar vendet e mbetura bosh në institucionet e sipërcituara, apo ato që do të krijohen rishtazi.

Por, më shumë se instiucionet e emërimeve, ajo që pritet me kërshëri nga të gjithë është SPAK, nisja e punës për të cilin mendohet në shtator, sikurse ka deklaruar vetë kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. SPAK është një nga institucionet e reja të drejtësisë, që është promovuar nga partnerët ndërkombëtar, edhe për shkak të rëndësisë që ka për të nisur hetimin e dosjeve të “nxehta” dhe nxjerrjen para drejtësisë të personave të veshur me imunitet politikë.

Në këto kushte, në varësi të rezultateve të SPAK, Shqipëria pret edhe një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Një tjetër institucion i rëndësishëm është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që për hir të së vërtetës nuk ka funksionuar këto tre vite për shkak se shumica e anëtarëve të propozuar tre vitet e fundit për këtë institucion, nuk kanë kaluar Vettingun. Megjithatë, edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që do të bëjë më pas emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës së Lartë, pritet të jetë në funksion së shpejti. Reforma në Drejtësi, përpos “tërmetit” që ka shkaktuar te vetë prokurorët dhe gjyqtarët, nuk ka lënë pa lëkundur edhe sistemin politik në Shqipëri.





Comments are closed.