Gramoz Ruçi, streha e fundit e konformistëve në Partinë Socialiste

Nga Gazeta SHQIP

Duket e pabesueshme, por Shqipëria me pak më shumë sipërfaqe se 28 mijë kilometra katrorë, ka ecur nëpër udhë të shkelura e të pashkelura gjatë tri dekadave. Janë kryqëzuar politika të çdo lloji, edhe pse në asnjë rast kjo politikë nuk ka qenë ashtu si duhet për shqiptarët. Për ata shqiptarë së pari, që përjetuan ndryshimin e sistemit, apo edhe për ata që lindën atëherë dhe sot janë bërë prindër.

Në këtë Shqipërinë tonë, që kur bëhet fjalë për patriotizëm nxitojmë të bëjmë shqiponjën me duar, janë të shumtë ata politikanë, që më shumë se luftërat për të mirën e shqiptarëve, preferojnë “qoshen e ngrohtë” dhe padyshim me shumë përfitime.

Shumë prej lexuesve të këtij shkrimi mendojnë se janë shumë politikanë të kësaj “sëre”, por më shumë se çdo kush tjetër, politikani i pluralizmit që ka përfituar, ashtu në heshtje, pa bërë asnjë betejë është Gramoz Ruçi.





Politikani, që përherë ka qenë në krye të listave të Partisë Socialiste si për deputet, apo strukturë e brendshme organizative prej 30 vjetësh, “vegjeton” qetësisht pa asnjë “gjemb në këmbë”, duke qenë i fundit i konformistëve në Partinë Socialiste.

Për emrin e tij, jo pak liderë të rinj të së majtës kanë pasur kontestime, por asnjëherë vetë Ruçi nuk është ndëshkuar me asgjë dhe për asgjë. Gramoz Ruçi është një prej atyre emrave që historia e ka mjaft të skalitur që në 2 prillin e vitit 1990 në Shkodër.

Që prej asaj kohe e deri tani, Ruçi është në krye të përfitimeve. Ka kaluar thuajse të gjithë kryeministrat me radhë, duke ditur të luajë më mirë se kushdo tjetër “kulisat politike” të së shkuarës, por pse jo edhe të së ardhmes.

Ruçi është nga ata politikanë që kurrë nuk ka marrë përsipër të drejtojë beteja politike; përkundrazi ka fituar mjaftueshëm prej tyre nga të tjerët që kanë qenë në ballë.

Fushata e 30 qershorit është më e afërt në kohë dhe shumë prej atyre që do lexojnë këto rreshta do të kujtohen menjëherë për faktin e mëposhtëm.

Gramoz Ruçi nuk mori pjesë në asnjë fushatë elektorale apo takime të ngushta me strukturat, edhe pse drejton qarkun e Fierit dhe së fundi, me ndarjen e re brenda Partisë Socialiste është caktuar koordinator për Jugun e vendit. Por, ndoshta pak e dinë, se Ruçi ishte ai që vuri veton dhe “kushtëzoi” në shumë gjëra Edi Ramën, përderisa ky i fundit pranoi të vinte për kandidatë në Roskovec, Fier, Patos, Lushnje e Mallakastër, emrat që donte vetë Kryetari i Kuvendit.

Këtë ka bërë edhe me Nanon. Madje, sa herë që Ruçi kërkon diçka vetëm për interesat e tij mundëson “konflikt” të brendshëm partiak, që në fakt është një presion. E ka bërë me cilindo që ka qenë në krye të qeverisë dhe padyshim, po e bën tashmë edhe me Edi Ramën.

Gramoz Ruçi është nga ata politikanë që di të luajë me të gjithë dhe për të gjitha. Mjafton fakti se që nga 16 shkurti, kur opozita dogji mandatet dhe nisi protestat në të gjithë vendin, i vetmi socialist që heshti qëllimisht ishte Ruçi, duke e lënë “luftën” politike në duart e Taulant Ballës apo më të rinjve që janë deputetë dhe pjesë e strukturave lokale të Partisë Socialiste.

Në asnjë rast Gramoz Ruçi nuk bëri komente mbi sjelljen politike të Bashës, Kryemadhit apo edhe të Berishës (me këtë të fundit që ndan thuajse po aq vite në politikë). Askush nuk mund të thotë me zë të lartë pse Ruçi ka zgjedhur këtë mënyrë, por kjo është shumë e qartë.

Përgjigja është e thjeshtë. Ruçi zgjedh të mbarojë punët e tij duke pasur përherë mbi kokë si “çadër”, Ramën, Ballën apo anëtarë të kabinetit qeveritar.

Është po ky Gramoz Ruçi, në krye të Kuvendit dhe numri dy në hierarkinë shtetërore protokollare, që nuk ka bërë asnjë koment as në ditët e vështira të Shqipërisë, as në ditët e nxehta të krizës politike prezente prej muajsh.

Është po ky Gramoz Ruçi, që çuditërisht nuk bëri asnjë koment as ditën që Ilir Meta i trazoi të gjithë dhe zhdekretoi 30 qershorin dhe vetëm tre ditë përpara kësaj date hodhi në tavolinë dekretin e 13 tetorit, madje tre palë zgjedhje sipas tij në këtë datë.

As kjo nuk i bëri përshtypje Gramoz Ruçit, edhe pse Meta ishte ashiqare në shkelje të Kushtetutës. Ruçit i takonte të bënte një koment, jo thjesht e vetëm si socialist dhe me pushtet shumëvjeçar, por edhe për shkak të detyrës funksionale aktuale.

Ruçi nuk bëri asnjë koment as pro dhe as kundër, edhe atëherë kur socialistët firmosën dhe janë ende në procedurat e shkarkimit të Ilir Metës si president i Republikës. Pra, ky është Gramoz Ruçi që zgjedh të heshtë, por që luan aq bukur “nën rrogoz”.

Dhe kulmin Gramoz Ruçi e arriti dje, me një “kundërshtim” për shkarkimin e Arben Malajt, që sipas tij, duhet të vijë fillimisht nga kryeministri kërkesa për shkarkim. Duket, më shumë si një lojë e kurdisur nga vetë Ruçi për interesat e tij, sesa një mbrojtje për Arben Malajn, socialistin e vjetër e me të cilin Ruçi ka pasur jo pak bashkëpunim njëherë e një kohë.

Por më shumë se avokat i Malajt, Ruçi ka një tjetër skemë. Me çdo kusht kërkon të imponohet tek Rama. Dhe për këtë ka gjetur emrin e Anastas Angjelit. Ky i fundit prej muajsh lakohet si kandidatura më e mundshme për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, edhe pse asnjëherë vetë Meta nuk e ka propozuar.

Madje, Meta ka çuar tre emra në Kuvend; Vitore Tusha, Bahri Shaqiri dhe së fundmi Petraq Milo. Dy të parët nuk janë votuar, ndërsa për të tretin ende nuk dihet.

Megjithatë, Ruçi po krijon tymnaja brenda Partisë Socialiste, me të vetmin qëllim të tij, që Anastas Angjeli të jetë i duhuri për në KLSH, një instrument që do kontrollojë Qeverinë. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm me “bekimin” e Ruçit që luan mjeshtërisht politikën me Metën. Nëse kjo ndodh, atëherë Ruçi do të shënojë fitoren e tij të radhës përmes këtyre metodave, ashtu sikurse ka bërë në 30 vjet politikë, pa qenë asnjë ditë në krye të betejave, por vetëm si asistent në to.

Por këtu nuk ka asnjë çudi. Metoda të tilla me emrin e Ruçit janë një stil i vjetër jo vetëm i këtij lloj politikani, por edhe i shumicës së atyre që prej 30 vjetësh nuk kanë lënë kurrë karrige e pushtet. Ruçi ka bërë gjithçka në funksion të interesave të tij, por gjithmonë “nën rrogoz”, asnjëherë si gjeneral.

Ruçi është nga ata që nuk ka pësuar kurrë ulje-ngritje, si shumë të tjerë ndoshta. Qoftë ky edhe Anastas Angjeli, Arben Malaj, apo më të vjetrit Musa Ulqini, apo edhe vetë Ilir Meta.

Dhe në fund, si për analogji, nëse dikush ka lexuar librin “Blloku” të mjekut Isuf Kalo, Ruçi të ngjan më shumë me portretin e Ramiz Alisë, që asnjëherë nuk bëri asgjë dhe asnjëherë nuk ra nga pushteti.

Gazeta SHQIP





Comments are closed.