Ulja e taksës/ Bizneset VIP shpërndajnë 410 milionë euro, ja sa miliardë lekë mblodhi qeveria

Bosët e bizneseve të mëdha në Shqipëri kanë nisur të shfrytëzojnë uljen e tatimit mbi dividentin për të shpërndarë fitimet e mbartura në bizneset që zotërojnë.

Të dhënat zyrtare nga tatimet tregojnë se në 5 muajt e parë të vitit, bizneset e mëdha shpërndanë mbi 50 miliardë lekë ose rreth 410 milionë euro dividentë për aksionerët e tyre.

Kjo shifër është 8 herë më e lartë se sa e njëjta periudhë e një vitit të kaluar. Dividendi është shpërndarja e fitimit të bizneseve tek aksionerët e tyre. Deri në fund të vitit të kaluar, sa herë që bizneset shpërndanin fitime për pronarët ato taksoheshin me 15 për qind.



Por duke filluar nga një janari I këtij viti, me propozim të qeverisë, parlamenti e uli tatimin e dividentit nga 15 në 8 për qind.

Sipas ligjit të miratuar me paketën fiskale, kësaj mase ju dha fuqi prapavepruese duke taksuar me 8 për qind edhe fitimet e pashpërndara që bizneset kishin nga vitet e mëparshme. Por me kushtin që këto fitime të shpërndaheshin si divident brenda 30 shtatorit të këtij viti.

Të dhënat nga tatimet tregojnë se bizneset e mëdha kanë nisur ta shfrytëzojnë uljen e taksës duke shpërndarë masivisht fitimet e e mbartura ndër vite. Sipas të dhënave, në pesë muajt e parë të vitit qeveria mblodhi 4 miliardë lekë të ardhura nga tatimi i dividentit ose plot 4 herë më shumë nga sa kishte mbledhur për të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Përgjysmimi i tatimit mbi dividentin shkaktoi debate të forta politike por edhe mes ekspertëve, pasi kjo është një lehtësi nga e cila përfitojnë vetëm të pasurit, pra ata që zotërojnë aksione tek bizneset e mëdha.





Comments are closed.