Erosi i Kilicës në fushat plot pranverë

Ajo ka veshur një këmishë të bardhë dhe flokët i ka kapura topuz. Vështrimi i saj reflektohet ëmbël mbi xhaketën e kuqe, si buzët. Nuk dihet kush është personazhi që fshihet përtej këtij portreti, që vazhdon të ruajë kaq vite pas realizimit, puhizën e një dëshire në fytyrë. Vilson Kilicia dinte të shihte përtej një modeli. Portretet për të ishin pjesa më interesante e hulumtimit të një piktori. Një portret mund ti thojë të gjitha, ashtu siç mund të fshehë gjithçka. Kjo tablo është pjesë e koleksionit të artistit në Galerinë Kombëtare të Arteve bashkë me një sërë pikturash të tjera. Në një tablo tjetër një vajzë e veshur me fustanin e gjelbërt mban në duar penelin.

Ajo është piktorja e ardhshme që ashtu si dikur Kilicia përpiqet të ndjek intuitën e ngjyrave. Vetëm përmes ngjyrave mund të ndërtohet rruga që ëndërron. Ngjyrat janë një element i rëndësishëm i pikturave të Kilicës. Në një tjetër tablo të quajtur “Brigadieret” , realizuar në vaj në kavanacë, dy vajza të reja duken të qeshura, teksa ecin në rrugët e fshatit mbi biçikletë. Nëse sot, ato do të shihen si dy krijesa tipike të realizimit socialist, Kilica ka mundur ti shkëpusë ato nga koha, duke u veshur në trup funde plot ngjyra.



Ato duket sikur shpërndajnë eros në fushat plot pranverë. U ndalëm në këto tablo të Vilson Kilicës për të kujtuar në tre vjetorin e ndarjes nga jeta, një nga artistët që i ka dhënë shumë artit figurativ. Kritika ende nuk e ka zbërthyer ngjyrën që mbartin telajot e tij, realizuar pikërisht në një kohë kur arti i nënshtrohej realizmit socialist. Një piktor i pajisur me finesë dhe vetëpërmbajtje dinjitoze, e quan Ismail Kadare në parathënien që i ka bërë albumit me veprat e tij. Vilson Kilica ishte një nga artistët më të rëndësishëm shqiptarë të Realizmit Socialist në vitet 1960-1990. Artisti Kilica lindi në Vlorë, por familja e tij (Kilica) ishte me origjinë nga Voskopoja dhe në shekullin XVIII u vendosën me banim në Seman. Kilica filloi hapat e para drejt artit figurativ i mbështetur nga vëllai i tij Janaq Kilica (dëshmor i atdheut), i cili e kishte pasion pikturën dhe gjithashtu nga daja i tij, ikonograf.

Kilica kreu studimet e mesme me rezultate të shkëlqyera në Liceun AJM, Tiranë (1948-1952) nën drejtimin e pedagogut Sadik Kaceli. Piktori Vilson Kilica ishte një nga studentët shqiptarë që mbaruan studimet e plota me rezultate të shkëlqyera për pikturë në Institutin e Arteve I.E.Rjepin “në Shën Petërburg (1952 -1958). “Ishte studenti i parë shqiptar që merrte mësime në ateljenë e profesorit B.V.Joganson, një nga figurat më të rëndësishme të artit të realizmit socialist sovjetik, që ishte njëkohësisht edhe drejtor i muzeut, “Tretjakov” në Moskë. Më vonë në këtë atelje kanë studjuar piktorët Sali Shijaku dhe Zef Shoshi. Programi në këtë shkollë arti ishte akademik, synonte përgatitjen e artistëve në kopjimin e realitetit dhe modelimin, duke zbuluar dhe analizuar çdo detaj të objekteve dhe personazheve, modele si detyra shkollore.

Por ish studentët e Shën Petërburgut kishin fatin të kishin si konsulentë të vazhdueshëm gjatë viteve studentore veprat e Leonardos, Rafaelit, Peruginos, Caravaggios, Correggios, Tizianit, Veroneses, El Grekos, Rubensit, Velaskes-it, Rembrand-it, Mone-së, Cesann-it, Pissarro-s, Picasso-s, Matiss-it, Kandiskij-t etj. që ndodheshin në sallat e Ermitazhit (një prej muzeve më të mëdhenj të botës)”, shënon për të studiuesi Ylli Drishti. I ardhur nga një shtet i vogël dhe i varfër si Shqipëria e pas luftës së dytë botërore, ku akoma nuk ishte çelur muzeu i parë i artit, Kilica qëndronte me orë të tëra para kryeveprave botërore të artit klasik italian e më vonë si student, gjithmonë vizitonte dhe admironte pavionin e impresionistëve dhe postimpresionistëve francezë që e ndihmonin për tu çliruar sadopak në penelata dhe në kolorit në realizimin e punëve me kërkesa shkollore. Në krijimtarinë e tij të gjatë gati 50 (pesëdhjetë) vjeçare piktori Vilson Kilica ka realizuar tema historike dhe aktuale, portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Duke qënë se brezi i tyre si artistë në vitet 1960-1990 trajtoi më gjërësisht tablonë kompozicionale dhe si rezultat i një censure dhe autocensure të rreptë, në veprat e Kilicës, që janë pjesa më e madhe të realizuara sipas metodës së Realizmit Socialist, vihen re mjaft të zbehta ndikimet e artit europian perëndimor. Pas viteve ‘90 të shek.XX, artisti Kilica tashmë i çliruar nga censura e shtetit komunist, krijoi situata piktorike personale dekorative herë të intonuara e herë-herë me theks grafik.

Duke patur një formim akademik të fortë, kulturë e formim artistik në vazhdimësi, një eksperiencë dhe realizime tablosh nga dimensionet më të mëdha (bashëkautor në mozaikun e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar – 400 M2) deri tek tablotë e zhanrit, artisti Kilica ka krijuar koleksionin e madh të tablove historike-politike të artit të realizmit shqiptar, të realizmit socialist, por edhe vepra të tjera me kërkesa më formaliste e dekorative që sidoqoftë nuk i largohen imazhit real. Pas vitit 1991 artisti kryesisht ju kushtua realizimit të peizazheve dhe portreteve. Në këtë fazë të krijimtarisë artisti i kushtohet evidentimit të raporteve koloristike në peizazhet e tij, që shpesh kanë sens të fuqishëm grafik dhe janë inerpretime artistike larg natyralizmit e akademizmit. Veçanërisht Kilica ka pikturuar peizazhin e zonës së Fierit dhe Mallakastrës.

Vilson Kilica i përket brezit të artistëve të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai është vlerësuar në vite për krijimtarinë dhe kontributin që ka dhënë në edukimin e brezave të artistëve të rinj, si pedagog për shumë vite në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Artisti Kilica është vlerësuar me “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1962), “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1964), me titullin “Piktor i Merituar” (1969), “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1970), me gradën shkencore “Docent”, “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1979), i jepet titulli “Piktor i Popullit” (1987). Artisti Kilica ishte pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat, konkurset dhe veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara nga shteti shqiptar para viteve 1990, ndërsa mbi 80 vepra të autorit ndodhen në koleksione private në Itali, SHBA, Itali, Gjermani, Slloveni, Serbi, Francë, Greqi, Spanjë.


Comments are closed.