Tërhiqet papritur PS, deputetët mund të arrestohen edhe pa paraqitur provat në Kuvend

Partia Socialiste u tërhoq nga propozimi për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme nga ana e Prokurorisë paraqitjen e provave për autorizimin për arrestimin e deputetëve. Kjo nismë u propozua një vit më parë nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, por në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, Manja u shpreh se PS-ja është tërhequr.  Kryetari i Komisionit të Ligjeve tha se nisma është tërhequr për të shmangur debatin politik.

Propozimi i PS-së synonte që në Rregulloren e Kuvendit të specifikohej që Prokuroria të japë prova në Këshillin e Mandateve kur kërkon heqje imuniteti për një deputet. PD-ja u shpreh kundër këtij ndryshimi dhe asokohe pati një debat të madh mes shumicës dhe opozitës, pasi në rastin e kërkesës së Prokurorisë për të arrestuar ish-deputetin Saimir Tahiri, deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij, edhe pse, deputetët nuk gëzojnë imunitet.

Pjesë e debatit mes deputetëve ishte edhe amendimi i nenit 48 të Rregullores, lidhur me përcaktimin e kohës së diskutimit në Kuvend. Kohëzgjatja e diskutimit do të jetë 10 minuta. Gjithashtu është specifikuar edhe rasti kur drejtuesi i seancës mund t’u ndërpresë fjalën deputetëve, kur janë jashtë rendit të ditës. Gjatë diskutimit të kësaj pike ka ndërhyrë kryetari i grupit të partive të djathta në Kuvend, Adriatik Alimadhi që akuzoi se kryetari i kuvendit sillet si “diktator”.





“Nuk mund t’ia lemë këtë të drejtë kryetarit të Kuvendit. Deputetët flasin për problematika të ndryshme” tha ai. Por, Fino ka kërkuar vendosjen e disiplinës. “Diskutimet për marrëveshje që janë 20 minutëshe janë abuzuar. Deputetët kanë folur në fillim për marrëveshjen, e më pas për politiken e ditës. Duhet të vendosim disiplinën”.

Pjesë nga diskutimet në Komisionin e Ligjeve

Vasilika Hysi: Drejtuesi i seancës mund të ndërpresë fjalën kur diskutuesi flet për çështje që nuk janë në rend dite.

Bashkim Fino: Duhet ta vemë këtë disiplinë. Shumë mirë që e bëmë 10 minuta.

Adriatik Alimadhi: Lëreni deputetin të shprehet lirshëm

Alket Hyseni: S’mund të dilni dhe të flisni për një gjë që s’ka lidhje me ligjin, me rendin

Bashkim Fino: Me këtë nen, kuorumi nis në orën 10. Dhe kur mbaron diskutimi në orën 5, fillojmë votimin dhe nuk marrim prapë prezencën. Nuk mund të bëjmë marrëveshje që të nisim Kuvendin me 15 deputetë se nuk u del gjumi. Duhet ta detyrojë rregullorja kreun e Kuvendit që të bëhen 71 deputetë pastaj të nisë Kuvendi.

Adriatik Alimadhi: Në këtë rregullore kanë marrë pjesë ish-deputetë të Partisë Demokratike, tani jemi dhe ne këtu. Duam kohë, duam të bëjmë debat

Ulsi Manja: S’dua asnjë koment, pro, kundër

Vasilika Hysi: Masat disiplinore deri më sot i jep kreu i Kuvendit ose Byroja. Propozimi që është sjellë, synon që të bëjë klasifikimin e shkeljeve në të rënda dhe të lehta dhe mekanizim në dy shkallë dhe ankimimin.Nuk parashikon përshkallëzim të shkeljeve të lehta, të rënda dhe shumë të rënda. Të bëjë lidhjen e rregullores me shkeljet që parashikohen në kodin e sjelljes, të bëjë klasifikimin e shkeljes.





Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.