Shteti dorëzohet/ Kompanitë fantazmë matin audiencën duke sfiduar gjykatën

Fiks Fare denoncoi sërish skandalin me matjet e audiencës së televizioneve në Shqipëri, ku kompani “fantazmë” sfidojnë edhe vendimet e gjykatës.

Firma “Telemetrix”, një nga dy kompanitë që mat audiencën me aparatura të pa kontrolluara dhe akredituara nga organet shtetërore, vazhdon të masë audiencën e Top Channel, megjithëse Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit urdhëroi pezullimin e matjes. Institucionet shtetërore si AKEP-i apo Autoriteti i Konkurrencës “ngrenë duart”: Nuk i kontrollojmë dot!





Matja e audiencës së televizioneve në Shqipëri është një problem i hershëm. Megjithëse kanë kaluar shumë vite, ende sot e kësaj dite, nuk kemi asnjë institucion shtetëror që të masë sa shihen televizionet shqiptare, kush është i pari, i dyti apo kështu me radhë.

Gjatë kësaj kohe, janë ngritur disa shoqëri private, të cilat pa asnjë bazë ligjore, por edhe të pa kontrolluara nga shteti, ashtu si edhe aparaturat e tyre nuk janë licencuara apo akredituar, kanë matur audiencën e televizioneve që xhirojnë miliona euro paga për punonjës, shpenzime të tjera, apo të ardhurat nga reklama. Askush prej institucioneve shtetërore, si AMA apo AKEP-i, nuk i kontrollon këto shoqëri private.

Pak muaj më parë, emisioni Fiks Fare, investigoi dy kompani “Telemetrix” dhe “Abacus”. Ne shkuam pranë këtyre dy firmave për të parë nëse ishin të licensuara, apo akredituara nga ndonjë organ shtetëror. Asnjëra prej tyre nuk ishte e licensuar apo akredituar. Rezultoi se askush nga institucionet shtetërore nuk i kontrollonte këto shoqëri.

Pas transmetimit të këtij investigimi, Gjykata e Tiranës, vendosi të pezullojë matjen e audiencës nga shoqëria “Telemetrix”. Në dorë kam vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila pezullon matjen e audiencës nga shoqëria “Telemetrix”.

Por, çfarë ka ndodhur më tej? Shoqëria “Telemetrix” vazhdon të masë audiencën e televizionit “Top Channel” në kundërshtim me këtë vendim gjykate. Askush prej institucioneve shtetërore, nuk kanë fuqi të veprojnë për këtë kompani.

Vendimi i gjykatës thotë shprehimisht: Sigurimi i padisë duke pezulluar matjen e audiencës televizive nga pala e paditur, shoqëria “Telemetrix” ndaj “Top Channel”. Pra, vendimi është shumë i qartë, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite, kjo kompani “Telemetrix” vazhdon të masë audiencën e “Top Channel”. Ndërkohë, sipas disa grafikëve që shoqëria “Telemetrix” u ka çuar klientëve të saj, rezulton se vazhdohet të matet audienca e “Top Channel”. Në këto grafikë, emri i televizionit “Top Channel” është zëvendësuar me “Other Kombëtarë”.





Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.