Flet avokati i vajzës që dhunohej seksualisht nga babai/ Të dënohet 20 vjet burg, bashkë me të dhe…”

Hetimet për vajzën e mitur që abuzohej prej 3 vitesh nga babai i saj janë në rrugën e gabuar. Pas denoncimit në Fiks Fare, policia njoftoi arrestimin e 48 vjeçarit për dyshimin e kryerjes së veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari” që dënohet me burgim deri në 7 vjet. Por kjo komunikatë e policisë është e gabuar, bazuar në faktet që solli emisioni investigativ në Top Channel, tregon avokati Isuf Shehu.

Sipas tij, “nuk jemi përballë faktit të një vepre penale siç është ajo e parashikuar në nenin 106 të kodit penal që janë marrëdhëniet seksuale ose homoseksuale me personat në gjini, ose në kujdestari. Por jemi përballë veprës penale të kryerjes së marrëdhënieve me dhunë me të mitur nga mosha 14 deri në 18 , në mënyrë të përsëritur dhe dënimi për këtë vepër penale është i konsiderueshëm shkon nga 10 deri në 20 vjet burg”.

Edhe pse para publikimit në media, vajza mori guximin për të kallëzuar ngjarjen, oficerët e policisë jo vetëm lajmëruan autorin e krimit seksual, por e rënduan  edhe më tepër situatën duke i kërkuar viktimës  prova, punën që duhet të bëjnë  ata vetë.



Për avokatin Isuf Shehu “këtu besueshmëria tek institucionet publike dhe sidomos te institucionet që duhet të garantojnë rendin dhe sigurojnë ulet ndjeshëm, që do të thotë ne nuk kemi përse t’i drejtohemi policisë në një situatë të caktuar, por duhet t’i drejtohemi Fiks Fare apo një emisioni tjetër investigative, sepse në të vërtetë këto institucione tradhëtojnë realisht viktimën, tradhëtojnë personin e dëmtuar duke i treguar autorit të veprës se çfarë ka kallëzuar viktima”

Për këtë arsye, në pranga nuk duhet vënë  vetëm babai, por edhe ata që treguan denoncimin e vajzës – shton avokati.  “Këtu duhet të ishte arrestuar dhe oficeri i policies,  edhe nëna si bashkëpunëtore në veprën penale, fakti që ajo e ka ditur, që s’ka bërë detyrën e saj si prind. Jo vetëm që s’ka kallëzuar por ajo me heshtjen e saj ka qenë një bashkëpunëtore e plotë në këtë rast” – thotë avokati Shehu.

Teksa të paktë janë njerëzit në vendin tonë që i njohin të drejtat apo qoftë dhe detyrimet e tyre, në mungesë të një strategjie edukimi si dhe pasjes së frikës ndaj paragjykimit po “vriten” familjet shqiptare.

Psikologia, Anxhela Peza shpjegon:  “Mentaliteti dhe kultura që ne kemi, për këtë arsye ngjarjet mbeten të fshehura. Me synimin që ajo të dalë nuse nga shtëpia, të jetë nënë në të ardhmen dhe gjithçka i ka ndodhur përsa i përket virgjërisë së saj, raportit seksual të mbetet intim dhe pa u deklaruar”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.