“Do pendoheni”/Tension në Gjirin Persik, anijet iraniane sulmojnë tankerin britanik me naftë (FOTO)

Britania tha se tri anije iraniane “bënë përpjekje të ndalojnë” një cisternë britanike të naftës në Ngushticën e Hormuzit. “Në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, tri anije iraniane u përpoqën të pengonin kalimin e anijes tregtare, Trashëgimia Britanike, përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha përmes një deklarate Qeveria britanike.

Luftanija britanike, HMS Montrose, “u detyrua të pozicionojë veten midis anijeve iraniane dhe cisternës britanike dhe të lëshojë paralajmërime verbale për anijet iraniane, të cilat më pas janë larguar”, thuhet në deklaratë.

“Ne jemi të shqetësuar me këtë veprim dhe vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që të shtensionojnë situatën në rajon”, u tha po ashtu në deklaratë.



Garda Revolucionare e Iranit mohoi se ka bërë përpjekje të ndalojë cisternën britanike, raporton agjencia iraniane e lajmeve Fars.

“Nuk ka pasur konfrontime në 24 orët e fundit me ndonjë anije të huaj, përfshirë atë britanike”, tha Garda Revolucionare e Iranit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se Britania i bën pretendimet e tilla “për të krijuar tensione”. “Këto pretendime nuk kanë vlerë”, tha Zarif.

Irani, më herët, ka kërcënuar se do të kapë një anije britanike, pasi marinsat britanikë, javën e kaluar, u kanë ndihmuar zyrtarëve në Gjibraltar të kapin një cisternë iraniane, pasi dyshohej se ajo bartte naftë nga Irani në Siri, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian.

Të mërkurën, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se Britania do të përballet me “pasoja” për shkak të kapjes së cisternës iraniane.

“Britanikët i filluan pasiguritë në det. Ata do të jenë drejtpërdrejt përgjegjës për gjithçka që do të pasojë”, tha Rohani.

Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar Iranin për sulme ndaj gjashtë cisternave të naftës në maj dhe qershor.

Ushtria amerikane tha të mërkurën se do të krijojë një koalicion shumëkombësh ushtarak për të mbrojtur ujërat rreth Iranit dhe Jemenit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ashtu kërcënoi se do të shtojë sanksionet kundër Iranit.

Vitin e kaluar, Trump e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore – me të cilën Irani ka kufizuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare – dhe ka rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike.

Irani ka vepruar në përputhje me marrëveshjen, por, gjatë fundjavës së kaluar, ai ka rritur pasurimin e uraniumit përtej kufijve që parasheh marrëveshja, në përpjekje për t’iu bërë presion vendeve evropiane që të gjejnë zgjidhje për sanksionet amerikane.

Me uranium të pasuruar, Irani potencialisht mund të krijojë armën bërthamore.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.