Vilhelm Vidi me bashkëshorten dhe oborrtarët; Zbulohet fotoja e rrallë e princit

Përpara portës së madhe që të fton të hysh në vilën mbretërore, nga ku shtrihet i qetë deti, Princ Vidi i shoqëruar nga bashkëshortja princesha Sofi dhe anëtarë të tjerë të oborrit, pozon para aparatit të Petro Dhimitrit.

Ai ishte fotografi që shoqëroi Princ Vidin që nga momenti i ardhjes së tij në Shqipëri e deri në largim (7.03 – 3.09.1914). Fotoja është realizuar në vitin 1914. Princesha Sofi por dhe zonjat e tjera në foto mbajnë kapele në kokë. Kapelja e saj është e bardhë, ashtu si fustani.



Më 21 shkurt 1914, në një banket të madh, shoqëruar nga muzikë dhome me pjesë të Vagnerit e Çajkovskit, u bë celebrimi i pranimit të fronit shqiptar nga ana e Princ Vidit. Një orë më parë, një delegacion prej 18 shqiptarësh, të cilët përfaqësonin zona të ndryshme të Shqipërisë, kishin ardhur për t’i vënë Princ Vidit kurorën e vendit të tyre. Princ Vidi e pranoi kurorën dhe u bë praktikisht Mbreti i Shqipërisë. Pas 180 ditësh, çdo gjë do të mbaronte. Por periudha kur ai u ngarkua të bënte një detyrë të tillë, korrespondoi me zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme për kohën në Ballkan.

Princi Vilhelm kishte profesionin e oficerit e të ushtarakut. Kishte shërbyer fillimisht në “Garde du Corps” dhe pas një periudhe trevjeçare trajnimi e formimi në Shtabin e Përgjithshëm, edhe si komandant kalorësie në regjimentin e 3-të të “Garde-Ulanen-Regiment” në Potsdam. Pas largimit nga Shqipëria ai kërkoi më 1917 rikthimin e tij në fron. Ndërkohë shërbente si oficer në Ushtrinë Gjermane.

Në prill të vitit 1918, ai u tërhoq nga jeta ushtarake. Duke nisur nga viti 1925, ai jetoi në Rumani, ku dhe vdiq në vitin 1945.

Nga martesa me Princeshën Sofia të Shënburg-Valdenburgut (1885-1936) në vitin 1906, ai pati tri fëmijë: Princi trashëgimtar Karl Viktor i Shqipërisë dhe Princ i Vidit (1913-1973), martuar në 1966 me Eileen Johnston (1922-1985), Marie Eleonore (lindur më 1909 dhe vdekur në burg në vitin 1956), martuar për herë të parë më 1937 me Princin Alfred të Shënburg-Valdenburgut (1905-1941), e për herë të dytë, më 1949, me Ion Octavian Bunea.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.