Të pestat e Ilir Metës!

Nga Zilie Feçi

Që prej fillimit të muajit qershor e deri më sot Ilir Meta nuk ka aspak qetësi, e aq më pak dashuri. Qetësia është prishur, ndërsa dashuria është shuar që prej ditës, kur Ilir Meta mendoi të bënte një lëvizje politike “të ashpër” kundër Edi Ramës.

Por, pas datës 10 qershor, kur anuloi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, për Ilir Metën nuk ka pasur asnjë ditë të qetë. Nga njëra anë lëvizjet e tij politike dhe nga ana tjetër, Rama që në të gjitha takimet e fushatës kishte “si armë” për të, Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj.

Në fakt, Ilir Meta del çdo ditë në facebook si kurrë më parë. Ka raste edhe 5 herë në postime të ndryshme, që jep edhe mesazhe të koduara për Ramën. Madje, ka filluar të prodhojë aq shumë statuse, sa të rikthen në vëmendje Berishën që dikur i konsideronte “ciu-ciu” reagimet në rrjetet sociale, teksa tallej për këtë me Ramën atëherë në opozitë.

Që Ilir Meta është i frikësuar kjo nuk ka nevojë për “kallauz”. Dhe më shumë se çdo gjë Metën e tremb Reforma në Drejtësi për të cilën flet Rama pa asnjë “dridhje qerpiku”. E aq më tepër kur në këtë reformë ka një investim amerikan, që duhet përkthyer në një bast të fituar apo jo.  Por, a e ka Presidenti Meta të gjithë informacionin që disponon Edi Rama për të?!

Shumë mund të mendojnë se mes Metës dhe Ramës nuk do të ketë asnjë “in extremis”. Përkundrazi shumë të tjerë çdo ditë i mbushin mendjen vetes se “urrejtja” e tanishme mund të prodhojë një dashuri të mëvonshme. Gjithsesi gjasat nuk janë për një dashuri mes tyre, nëse në pak minuta kalkulon gjithçka që ka ndodhur gjatë muajit qershor dhe këto ditë të korrikut.

Gjithësesi, Rama duket se ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare, për aq kohë sa nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje nga asgjë që ka thënë e ka bërë deri tani (procedura e shkarkimit, deklaratat në fushatë, refuzimi për në tryezë bisedimesh për zgjidhje krize etj).

Një tjetër taktikë e gabuar e Ilir Metës, që vetë ai mendon se mund ta mbrojë është edhe angazhimi opozitar. Marrja e frenave si lider i opozitës (në të ardhmen) e bën të mendojë se do të ishte e vështirë të prangosej qoftë edhe nga zbatimi i Reformës në Drejtësi një lider opozitar.

Nuk mund të jetë fort çudi as postimi në facebook dje në mbrëmje pak para nisjes së protestës së opozitës, ku nuk mungonin edhe ironitë për “Rilindjen”. Madje, të dukej se ishte ai “komandanti suprem” i opozitës.

Por a është Ilir Meta vërtet në shkallën më sipërore të mundshme i rrezikuar. Edhe pse një politikan kalibri, duket se tashmë Presidentit Meta i ka dalë situata “jashtë kontrolli”. Faktet nuk janë në favor të tij. Por nga ana tjetër Meta ka ditur të dalë gjithnjë mbi ujë edhe në situata politike ndoshta më të vështira se kjo e tanishmja.

Por një gjë nuk duhet harruar. Tani “gurin dhe arrën” e kanë në dorë amerikanët, partneri strategjik i Shqipërisë dhe jo vetëm! Ndërsa në “ujërat e turbullta” të disa viteve më parë, ishte vetë Ilir Meta “Zot dhe shkop”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.