A do shkojnë Shqipëria dhe Maqedonia në zgjedhje të parakohshme në tetor? Ja prapaskena…

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk ia dolën në qershor që të konfirmonin se ia kishin dalë mbanë me detyrat e shtëpisë që Brukseli iu dha në fund të vitit 2018, prej të cilave kushtëzohej vendimi për çeljen e negociatave.

Ndonëse me një hap të madh përpara për shkak të firmosjes së “Marrëveshjes së Prespës” me Greqinë, fqinji ynë lindor u dëmtua disi nga kriza politike në Shqipëri dhe vendimi për të dy vendet me shumë gjasë do të jepet në tetor.

Ndërkohë, që Shqipëria shkon me një krizë që thellohet gjithmonë e më tepër drejt tetorit, Maqedonia nën drejtimin e Zoran Zaev duket më stabile, edhe pse kanë nisur të ndihen zërat që kërkojnë zgjedhje të parakohshme.





Ish-ambasadori Muhamed Halili është i mendimit se në tetor Maqedonia e Veriut nuk do të marrë sërish datën për fillimin e bisedimeve me BE-në dhe se vendi po rrëshqet drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Muaji tetor është vetëm dëshirë e politikanëve në pushtet se do të marrin datë për bisedime duke dashur në këtë mënyrë të zbusin pakënaqësitë dhe zhgënjimin e qytetarëve nga qeveria aktuale. Zgjerimi i BE-së është një proces shumë i gjatë, kurse ata që vendosin për dhënien datës se bisedimeve për vendet e Ballkanit Perëndimor janë dy shtetet, Franca dhe Gjermania. Franca tani më është shprehur shumë qartë për krijimin e një Bashkimi Evropian brenda Ballkanit. Po që se Makroni nuk heq dorë nga ky plan, nuk ka datë në tetor por s’ka datë as në dhjetor të këtij viti”, thekosi për gazetën Koha, ish-ambasadori Halili.

Sipas tij, pas kësaj ka zhvillime të reja që çojnë në zgjedhje të parakohshme.

“Me siguri Maqedonia e Veriut nuk do të prishet nëse nuk fillon bisedimet me BE-në. Atëherë është problemi kyç se pas kësaj do të kemi zgjedhje të parakohshme apo të rregullta. Zakonisht datën e zgjedhjeve, qofshin të jashtëzakonshme apo të rregullta, e cakton Qeveria aktuale, kurse se me cilin ligj do të shkohet në zgjedhje, e cakton pozita dhe opozita. Eventualisht kah fundi i muajit dhjetor Zaevi mund të krijoj qeverinë e Përzhinos dhe në prill të vitit të ardhshme të kemi zgjedhje”, thotë Muhamed Halili, ish ambasador.

Me aludimet nga Maqedonia e Veriut, duket se situata po i çon të dy vendet fqinje drejt një procesi të rëndësishëm zgjedhor, teksa edhe në Shqipëri, Presidenti Ilir Meta ka propozuar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në 13 tetor, për t’i hapur rrugën evropiane vendit.





Comments are closed.