Ilir Meta, dëshmori i parë i reformës në drejtësi. Ja plani amerikan

Nga Spartak NGJELA

Procesi për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, krijon risi për shtetin shqiptar, se erdhi mu në kohën e duhur.

l.
Një vend, kur del nga errësira e krizës, befas hyn në një kohë të re historike. Cila është kjo kohë e re për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Koha e re në Shqipërinë e sotme ka lidhje me Reformën në Drejtësi. Por, koinçidencë është se edhe shkelja kushtetuese e presidentit shqiptar kishte lidhje me Reformën në Drejtësi. Sepse ajo u ushtrua prej tij vetëm për të destabilizuar Shqipërinë. Realisht, ky ka qenë qëllimi dyvjeçar i të gjithë korrupsionit të lartë shqiptar i cili, nën një koncept pseudoopozitar, kërkoi të destabilizonte Shqipërinë që të siguronte sundimin e vet.
Por, në fakt, kjo e sotmja që vjen pas triumfit zgjedhor të 30 qershorit, është epiqendra e kësaj kohë të re, e cila do të eliminojë realisht korrupsionin e degraduar të shtetit shqiptar në nivelet më të larta të tij. Por , a do të kemi ndërkohë një reaksion të dhunshëm antiteformë si ai që pamë në dy muaj rresht? Jo. Sepse paralajmërimi amerikan kundrejt krerëve ka qenë me fakte shumë konkret. Rreziku që i vjen prej tij korrupsionit të lartë, është më i madh nga rreziku që pritet t’iu vijë të korruptuarve nga Reforma në Drejtësi.

ll.
Shenjat janë që kjo Reformë u bë shkak edhe për daljen e parë në skenë të njerëzve pushtetarë të korruptuar. I pari doli presidenti shqiptar, i cili iu kundërvu reformës me të gjitha mjetet.



Ilir Meta është nga më të korruptuarit. Por ai, shihet se ra dëshmor, si dëshmori i parë i antireformës. Veçse, duhet thënë se ky është në fakt vetë hapi i parë i reformës.
Ndërkombëtarët ishin të saktë kur e kapën këtë rast në ndihmë të shqiptarëve dhe ishim dakord me fillimin e procedurës për shkarkimin e presidentit Meta.

Tani, duke nisur që nesër, procesi për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, është shenjë e një pozitiviteti kombëtar në lidhje me zhvillimin. Ky akt juridik, ka ardhur cok në kohën e duhur për progresin e shtetit shqiptar dhe të ardhmen e të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Meta, në fakt, “u nxitua”, sepse mendoi të shkatërronte Shqipërinë për të shpëtuar pasurinë e tij të paligjshme, që tani do t’u kthehet shqiptarëve, se e tyre është. Por kjo është e para. Janë në fakt 5 miliardë euro të korrupsionit të lartë shqiptar që do t’iu kthehen shqiptarëve, se të atyre janë.

“Do t’ia kthejmë shqiptarëve të gjithë këtë pasuri”, thonë ekspertët ndërkombëtarë që i kanë hetuar dhe i kanë gjetur realisht këto para.

lll.
E gjithë kjo situatë që filloi si e rrezikshme, tani përfundoi në favor të Reformës. Të korruptuarit që pritet të jenë nën akuzë, në disekuilibër mendor do të jenë, por tani nuk kanë më mundësi që të ndërmarrin akte të dhunshme si ato që ndërmorën. Forca e tyre shkatërruese, tani është zero, prandaj nuk duhet të shqetësohemi as me “marrëzinë” Meta.

Kjo është gjë që do t’u ndodhë të gjithë të korruptuarve, por Meta është president, dhe Shekspiri na ka thënë se “çmenduria e mbretit është e rrezikshme për qytetarët”.

Gjithësesi, edhe ky rrezik tani ka përfunduar. Komisioni i hetimit parlamentar që ngrihet nesër në Parlament për të hetuar Presidentin e Shqipërisë, i jep fund figurës groteske të Ilir Metës.

Atëherë, pyetja është kjo: ky presidenti ynë, i krijon dot më rrezik Shqipërisë? Jo. Se nuk e përfill fare opinioni publik, dhe aktualisht nuk ka më asnjë force ekzekutive.
Po korrupsioni tjetër? As korrupsioni tjetër, i cili dy muaj rresht u hodh në sulm me molotovët e vet dhe me shkatërrim, tani e ka gjetur vendin, sepse krerët janë kërcënuar për t’u përgjigjur për krim ndërkombëtar.

E pra, tani gjithçka është neutralizuar plotësisht. Shqipëria do ecë e qetë drejt reformimit të shtetit të saj. Që sot, ndërkombëtarët kërkuan ngritjen e menjëhershme të SPAK-ut, dhe për vijimin e Reformës në Drejtësi, ata kërkuan që ajo të përfundojë tani pa asnjë pengesë. Por, një gjë është e sigurt: bashkë me Reformën, shqipëtarët do të hyjnë pa asnjë diskutim në gjirin e shoqërisë europiano-perëndimorë.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.