A ka frikë Ilir Meta nga reforma në drejtësi?

Shprehja ikonike e Ilir Metës “me qetësi dhe dashuri” u bë sot shkrumb e hi në valën e sulmit një kundër të gjithëve që e kishte konvertuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë në një “bishë politike”, siç preferon ta quajë ish-këshilltari i tij Ralf Gjoni.

Vendi i “azilantit” ku Edi Rama e kyçi në 2017 duket se po i rri ngushtë politikanit që për 30 vite i ka shijuar të gjitha shkallët e pushtetit në Shqipëri dhe tani përveçse ka nisur të bëjë opozitarin, shihet i investuar fort në një betejë kundër reformës në drejtësi.

Meta pretendon se Shqipëria po drejtohet sipas strukturave “Deep State” dhe “State Capture”, falë edhe mbështetjes së Kryeministrit nga tentakulat e oktapodit SOROS, që ai thotë se duke kapur Brukselin dhe Departamentin e Shtetit në SHBA do të ruajnë “status-quo-në” me PS në pushtet.

Kam dy fjalë dhe për Sorosin, shpesh komploton kundër demokracisë, i them Sorosit t’i gëzojë miliardat e veta, Shqipëria është vend i vogël për përmasat e tij, të vazhdojë të investojë në tregjet e mëdha, se Ilir Meta është Presidenti i Shqipërisë dhe do i dalë për Zot Shqipërisë, është i racës së Avni Rustemit, jo i Nikola Gruevskit. Kush e do Shqipërinë, një koloni, që të pastrojë lekë, që të jetë bazë operacionale e krimit të organizuar ndërkombëtar, një Kolumbi në Europë, JO nuk kemi nevojë”, tha Meta duke i shpallur luftë Fonadacionit të akuzuar si komplotist, madje duke kujtuar këshillën e “rebelit” tjetër të BE, mikut të tij Viktor Orban

Dhe më tej vijoi sulmin ndaj reformës në drejtësi ku SOROS është investuar fort në vendin tonë duke thënë: “Ndërkombëtarët shohin vetëm problemet e opozitës dhe jo të mazhorancës. Reforma në Drejtësi e Ramës ka fytyrën e skandalit të Unazës së Re, gjenocid ndaj njerëzve. Jemi vend i NATO-s, mos të tallen me Kushtetutën tonë, u tallën njëherë në 2008, kur i mbanin ISO-n Ramës e Doktorit”.

Por, ky shpërthim i sotëm i Ilir Metës kundër reformës në drejtësi nuk ishte as i pari dhe mesa duket nuk do të jetë as i fundit.

Në fakt ky është i dyti sulm i hapur me gjuhë agresive që Presidenti i bën reformës, të cilën rivali i tij më i madh Edi Rama përgjatë 30 ditëve fushatë elektorale e pagëzoi si “përbindëshi” që do t’i hajë “kokën” duke i vendosur prangat sapo të çelen negociatat me BE.

Në 17 korrik 2016 në rolin e Kryetarit të Kuvendit, pasi e kishte stërvonuar miratimin në Kuvend të reformës në drejtësi, edhe pse LSI-ja e tij së bashku me PS e Edi Ramën i plotësonin votat, Ilir Meta sulmonte “flakë për flakë” dhe drejtpërdrejtë ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Teksa ata ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit, Meta akuzave indirekte të Ramës se ishte ai që kishte frikë nga reforma në drejtësi, iu përgjigj me një deklaratë “bombë”.

Asokohe ai tha se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, të tërhiqte ministrat për të krijuar qeveri teknike, e madje të shkonte dhe vetë në burg për votimin e kësaj reforme.

Unë jam shumë dakord ta vazhdojmë me burg. Por nuk bëhet reforma dhe nuk arrihet konsensusi duke thënë tjetrit se ti do të shkosh ti në burg, por reforma dhe konsensus, ajo që do të Uashingtoni, Brukseli dhe qytetarët shqiptarë nga politikanët shqiptarë është duke filluar nga unë të deklaroj se unë do të shkoj në burg, nëse kam shkelur, ligjin, kam bërë korrupsion, nëse kam dëmtuar interesin publik. Dhe vetëm duke folur në këtë mënyrë, jo nëse dikush ka qejf fjalën burg, ne mund t’i japim vendit atë Kushtetutë të re”, shprehej Meta atëherë në Kuvend.

Duke marrë parasysh këto dy sulme të Presidentit ndaj reformës në drejtësi, pyetja që shtrohet është nëse kemi të bëjmë me një frikë reale të Metës për shkak pozicionimit të Ramës pro reformës dhe bastit të kryeministrit për ta futur atë në burg?!

Apo Meta është më shumë i frikësuar sepse në lojë kanë hyrë edhe sot, si atëherë, Amerikanët, të cilët investimin e tyre më të madh në Shqipëri kanë pikërisht reformën në drejtësi dhe kërkojnë me ngulm zbatimin e saj.

Në këto kushte duket se betejën e ka me ndërkombëtarët, pasi “dajret” që Meta tha se ia kishte këshilluar Monës dhe Lulit për të anatemuar votimet socialiste të Ramës, po bien mbi Presidencë prej muajsh duke sinjalizuar arrestimin e tij si “kurbani” i parë i integrimit evropian.

Dhe i gjendur në këto pozita, jo fort komode, Meta ka nisur të luajë rolin e tij të preferuar (për hallin e tij dhe jo të opozitës), atë të ‘kamikazit’ që si “minë me sahat” rrezikon të hedhë në erë të ardhmen e Shqipërisë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.