A do vijë për “zgjedhjet e Metës”? Shefja e OSBE/ODIHR befason me përgjigjen

Shefja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover në konferencën për shtyp për të publikuar raportin paraprak të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, është pyetur nga gazetarët lidhur me 13 tetorin, të dekretuar nga Presidenti Ilir Meta si data e re e zgjedhjeve lokale.

Gazetarët kërkuan të dinin nëse ajo do të kthehet në Shqipëri në 13 tetor dhe Glover iu përgjigj duke thënë se do të kishte qejf të vinte në Shqipëri, por për misionin i takon OSBE-së të vendosë.

“Unë do kisha shumë qejf të kthehesha prapë në Shqipëri, por s’më takon mua. Do duhej të na bëhej sërish një ftesë. Nëse merrte këtë ftesë OSBE do dërgonte një mision faktmbledhës për të mbledhur fakte se çfarë procesi është dhe më pas, pasi të shqyrtonte të vendoste a do na dërgonte apo jo dhe çfarë misioni do ishte ky”, tha ajo.



Ndërkohë ajo pati edhe një reagim lidhur me precedentin që u denoncua nga Partia Demokratike se PS po i mbush kutitë e votimit.

“Sa i përket pyetjes suaj të parë lidhur me numrin e votuesve më i vogël se numri i votave. Po e dëgjoj këtë gjë. Po marrim informacione nga vëzhguesit tanë. Shpresojmë që autoritet të jenë duke parë këtë çështje nëse kemi të bëjmë me mbushje fiktive të kutive”, sqaroi Glover.


Comments are closed.