Enigma e së dielës dhe skenarët e pas 30 qershorit!

Nga Sebi ALLA

30 qershor apo 13 tetor… Janë vetëm data që nuk kanë më rëndësi; vendi po shkon në zgjedhje (votime), me një parti të vetme dhe më 1 korrik kalon në “vdekje klinike” pluralizmi politik. Lufta e madhe e katër muajve, nuk u mbyll me një marrëveshje të orëve të fundit, qoftë edhe nga ato pa shumë vlerë shtetërore e shoqërore, që kurorëzohet me nënshkrimin e firmave, shtrëngim duarsh dhe buzëqeshjen e shtirur të të mëdhenjve të politikës.

Qeveria shkon e vetme drejt “fitores së madhe” të 61 bashkive, pa kandidatë alternativ, ndërsa opozita duket se humbi një nga betejat e saj për largimin e Ramës para 30 qershorit, dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, por “betejën” që do të vijojë pas 30 qershorit, (fundi i së cilës kërkon votën e lirë dhe të ndershme, përpallje të barabartë dhe funksionim të ligjit), nuk e ka më as ajo në dorë që ta ndalë.

Ora 07:00 e datës 30 qershor. Qendrat e votimit do të hapen ndërsa pasiguria për incidente përtej normales në anormalitetin tonë politik, nuk përjashtohen. Tentativa e fundit e kreut të shtetit Ilir Meta që dekretoi datën e re të zgjedhjeve më 13 tetor doli e pasuksesshme. Kur presidenti me dekretin e ri në duar nuk e kishte mbyllur ende konferencën, erdhi reagimi i kryeministrit:

“A ju thashë që prisni një tjetër çmenduri? Zgjedhjet do bëhen vetëm më 30 qershor”, -tha Rama, ndërsa nuk kurseu as epitete fyese ndaj kreut të Shtetit duke e cilësuar “Haxhi Qamili i dytë”. Nga ana tjetër, kryedemokrati Lulzim Basha në orët e vona të mbrëmjes, të enjten, deklaroi se: “Nuk ka zgjedhje as më 30 qershor, as më 13 tetor, pa largimin e kryeministrit Rama dhe vënien para përgjegjësive vjedhësit e votave”. Në këto votime të harruara prej tre dekadash, ka një sy tej palëve, është faktori ndërkombëtar. Ai do të jetë “arbitri i katërt” i një loje të ashpër, por me fitues të paracaktuar, dhe nuk do ketë mundësi të ulë tensionin. Kritikat janë se, ndoshta u bë palë e një procesi më se anormal, duke tentuar të ruajë stabilokracinë, pa i dhënë rëndësinë e pritur demokracisë.

Faktori ndërkombëtar, i lodhur me paqëndrueshmërinë politike shqiptare, por edhe “bashkëfajtore” në mbajtjen në këmbë të sistemi me demokraci hibride për tre dekada, ishte kundër djegies së mandateve të opozitës dhe, gjithashtu, edhe kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve të parashikuar më 30 qershor. I trembej më së shumti krijimit të një precedenti që në vijim do sillte pasiguri në krijimin e krizave të zgjatura politike. Ky mund të jetë leksioni që ata kanë për një opozitë që lë mandatet e del nga sistemi.

Por, në përpjekje për ta futur vendin në “hulli institucionale”, mund të bëhet dëshmitare dhe të ketë pjesën e vet në një konflikt që nuk e dëshiron askush, më të madh se vetë politika, pikërisht ai civil.

Këtë herë, përplasjet e kahershme politike të 29 viteve të fundit, shoqërohen me mungesën e institucioneve, siç është ajo e Gjykatës Kushtetuese. Të gjithë flasin për ligjin, por të gjithë mund të jenë në paligjshmëri, kur edhe pushteti lokal është i ndarë. Bashkitë e drejtuara nga opozita njohin dekretin e presidentit, ndërsa ato të majta vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kolegjit Zgjedhor më tej.

E vetmja që duhet të fliste, sot nuk ka fare zë. Gjykata Kushtetuese nuk ekziston, ndërsa krijimi i saj, me gjithë shtytjen qeveritare, vështirë të bëhet deri në fundin e korrikut. Edhe krijimi i këtij institucioni të rëndësishëm do jetë i paragjykuar që në vendimin e saj të parë. Ajo do ketë në duar dekretet e presidentit dhe njëkohësisht nismën e mazhorancës për shkarkimin e tij.

Tensioni në shoqëri ndihet kudo. PD dhe PS akuzojnë njëra-tjetrën se secila palë ka plane për destabilizimin e vendit në krijimin e incidenteve të rënda gjatë e pas procesit të votimeve. Këtu kanë nisur edhe diskutimet se kujt i intereson më shumë që prej qendrave të votimit apo pranë tyre, të dalë tym? Mund të duket gati e pabesueshme, por çdo incident me pasoja disi të rënda, mund t’i shkojë përshtat qeverisë.

Kryeministri Edi Rama në ditët e fundit ka shtuar doza të forta kërcënimesh, ironi, përbuzje, ndarje e përçarje mes qytetarësh me qëndrimet: “ne” dhe “ata”… Në përpjekje për të “justifikuar fitoren e madhe” në votime dhe jo zgjedhje, ajo do ketë një kartë të trishtë në duar (incidentet e rënda të mundshme), që mund t’i përdorë si “çekun e bardhë” për t’i zgjatur jetën politike vetes dhe forcës që përfaqëson.

Opozita gjithashtu do humbte kredencialet e saj në aspektin ndërkombëtar, por edhe në elektoratin mirëfilltës gri, që më shumë se betejë, kërkon alternativë bindëse, qasje të opozitës nga e shkuara e saj në pushtet, dhe garancitë e forta institucionale se do ketë llogaridhënie në të ardhmen, qytetarët do përfaqësohen denjësisht dhe se zëri i tyre do të dëgjohet.

Për momentin fjala zgjedhje dhe votime ka shkëputur disi vëmendjen nga 32 audiopërgjimet e rënda nga dosjet 339 dhe 184, të publikuara në gazetën më të madhe gjermane Bild. Implikimi i drejtuesve të lartë të qeverisë që nga kryeministri, ish-ministra, deputetë, zyrtarë lokalë, drejtues policie në bashkëpunim me elementë të botës së krimit, flasin për shitblerje votash, kërcënime ndaj votuesve, trafik të hapur influence dhe qartësisht deformim të vullnetit të njerëzve.

Këtë pjesë qeveria nuk e fshin dot, ku më së paku ka humbur fort kredon morale të të qeverisurit, ndonëse atë institucionale po e mban edhe për inerci. Mund të shtohet edhe “benefiti” i pushtetit lokal, kur të gjithë pushtet e tjera praktikisht i ka në duar. Pasja e të gjithave, mund të jetë edhe “plasja” nga tejngopja për të pasur çdo pushtet të mundshëm nën kontroll dhe shërbim me destinacionin e qartë pushtetin.

Kreu i qeverisë vijon të lëshojë batuta se në “shahun politik” është gjithnjë tri lëvizje më para se kundërshtarët, mbase edhe ata mund t’i mundë, por sot për sot, nuk është në gjendje që të shohë “spektatorët” qytetarë që dëshpërimisht presin më shumë ekonomi, rend, demokraci, funksionim drejtësie dhe pasjen e më shumë të drejtave, që minimalisht fillon me votën e lirë…!

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.