Analiza/ Çfarë humbi opozita, nga një marrëzi e Lulzim Bashës?!

Nga Gazeta SHQIP

Më 26 qershor, vetëm 4 ditë larg zgjedhjeve lokale të 30 qershorit Gazeta Shqip publikoi një video ekskluzive, që tregonte ish-kryeministrin Sali Berisha me valixhe në duar teksa futej në një avion të “Austria Airlines” në aeroportin e Rinasit.

Lideri historik i Partisë Demokratike e braktisi “revolucionin” opozitar që kishte nisur me bekimin e tij në janar të 2019-ës, duke lënë në baltë të përzgjedhurin e tij Lulzim Basha dhe protestuesit që i kishte mbajtur me shpresë për rrëzimin e Edi Ramës.





Po drejt djegies së mandateve po shkojmë…”, shprehej Monika Kryemadhi në një bisedë kokë më kokë me Berishën jashtë Kuvendit më 5 korrik 2018 dhe ish-kryeministri ia kthente: Po, po, drejt asaj rruge po shkojmë”.

Kjo bisedë e tregon qartë se ishte Berisha ai që i dha jetë planit ekstrem të opozitës për të braktisur jetën parlamentare dhe që sot po i çon rivalët e Edi Ramës (të dalë nga sistemi) drejt shkrirjes.

Tashmë me Berishën në “arrati”, barra e fajit për futjen e opozitës në këtë udhë pa krye po bie e gjitha mbi shpatullat e Lulzim Bashës, i cili për pak kohë refuzoi djegien e mandateve, derisa iu desh të dorëzohej më 18 shkurt 2019.

Siç e thotë kjo shprehje e teologut anglez Samuel Taylor Coleridge, “në politikë, ajo që fillon nga frika zakonisht mbaron me dështim“, dhe me Lulzim Bashën po ndodh e njëjta gjë, pasi kryetari i opozitës po shkon drejt vetëshkatërrimit me planin e thurrur nën ethet e frikës se nuk do ta mundte dot asnjëherë në zgjedhje Edi Ramën.

Por në valën e kësaj historie ku opozita po dështon me sukses, pyetja që shtrohet është: Çfarë humbasin PD dhe LSI nga ky aksion opozitar?

Për ta ka kuptuar këtë duhet të flasim me gjuhën e shifrave, bilanci i të cilave është i frikshëm dhe do të rëndojë mbi shpatullat e opozitës në 5 apo 10-vjeçarin e ardhshëm, ndoshta edhe më gjatë.

1-Mandatet e deputetëve

E nisim si fillim me 62 mandatet e humbura në Parlament, vende të cilat tashmë edhe pse jo plotësisht janë mbushur me opozitarë të rinj, të cilët nuk i binden as PD e as LSI. Por që për më tepër SHBA dhe BE i cilësojnë legjitim dhe me shumë gjasë do ta përfundojnë detyrën deri në 2021 sipas Kushtetutës.

Pra, Lulzim Basha pasi u bind nga Sali Berisha i dogji mandatet, duke u treguar naiv pasi kurrë nuk e kishte menduar një skenar të tillë, ku amerikanët dhe europianët t’i kundërviheshin kaq keq, madje duke e kërcënuar se do ta shpallin PD organizatë terroriste nëse dhunon zgjedhjet e 30 qershorit.

Basha fliste lart e poshtë me bindje të plotë se djegien e mandateve e “vulosi” pas mbështetjes së Gjermanisë. Por reagimet e fundit nga Perëndimi tregojnë se  kryeopozitari ka gënjyer, sepse as gjermanët, as europianët dhe as amerikanët nuk i dolën në krah.

Për më tepër aktit ekstrem të shkurtit i doli kundër edhe Ilir Meta. Vetë bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi e ka zbuluar qëndrimin kundër të Kreut të Shtetit.

Kur ne vendosëm djegien e mandateve, Ilir Meta ishte në Gjermani, por ne e mbyllëm i dhamë fund”, zbuloi kryetarja e LSI në një studio televizive.

Edhe vetë Meta, pavarësisht “dashurisë pa kushte”, të shprehur hapur ndaj Sali Berishës, ndoshta e ka ditur se plani për një “luftë të dytë civile” si ’97 në një vend anëtar të NATO-s, nuk ishte më perfekti që mund të ideonte në fund të karrierës së tij politike, Doktori.

2- 27 bashki dhe rreth 2000 këshilltarë

Bilanci i dështimit për PD e LSI thellohet kur marrim në konsideratë humbjen e 27 bashkive në të gjithë vendin. Nga 1 qershori në “fron” do të ulen të besuarit e Edi Ramës dhe në “kosh” do të fluturojnë 1500 këshilltarë  nga PD dhe plot 500 të tjerë nga LSI.

Kostot e këtij dështimi nuk mbyllen me kaq, pasi Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi s’do të kenë më krah tyre mbi 10 mijë të punësuar (militantë) në 27 bashkitë që drejtoheshin prej PD-LSI.

Natyrisht që humbja më e madhe këtu do të jetë PD, e cila do t’i fali kështu në tavolinë Ramës, 5 bashki të “ëndërruara” përherë prej PS-së, që cilësohen zemra e të djathtës, si Shkodra, Kukësi, Kamza, Vora dhe Kavaja.

Dhe e gjithë kjo është pasojë e vendimit të dytë të rëndë të Lulzim Bashës për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Nëse djegien e mandateve e kaloi lehtë, këtu kreu i PD s’ka për t’ia hedhur paq.

Kjo pasi, në Partinë Demokratike ka shpërthyer prej pak ditësh një revoltë e brendshme, ku kryebashkiakët e Kukësit, Lezhës dhe Vorës kanë kundërshtuar fuqishëm vendimin e Bashës për të mos hyrë në zgjedhje.

Gazeta Shqip mëson se në një takim “kokë me kokë” me Bashën – Fran Frrokaj, Bashkim Shehu dhe Fiqiri Ismaili i kanë thënë kryetarit se edhe të pavarur po të hynin në zgjedhje do t’i fitonin ato.

Ne mund të hynim në zgjedhje si të pavarur, t’i bëje sikur do të në përjashtoje nga PD, ne fitonim zgjedhjet dhe sërish do të ishim me ty. Ti na the se do e zgjidhnim këtë, por na braktise”, mësohet t’i kenë thënë “3 Muskutierët” – Bashës në takim.

3-Humbja e Presidentit

Nga euforia e 8 qershorit ku Lulzim Basha shpalli fitoren poshtë zyrës së Ramës, pasi nga Presidenca, Ilir Meta ç’dekretoi 30 qershorin si datën e zgjedhjeve lokale, ka rrjedhur shumë ujë.

Ajo fitore e parakohshme iu kthye në boomerang opozitës, pasi SHBA dhe BE duket sikur i kanë shpallur “luftë” Bashës dhe Metës. Tani Perëndimi njeh vetëm 30 qershorin dhe refuzon të pranojë 13 tetorin si datë të re zgjedhjesh.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Ilir Meta është një Kryetar Shteti me njërën këmbën në “varr”, pasi Partia Socaliste ka vendosur t’i jap “shkelmin” e fundit politik, duke e shkarkuar me një procedurë që hyn në hapat e fundit më 4 korrik.

Me 55 vota të deputetëve të PS, Komisioni i Ligjeve ka pranuar kërkesën për shkarkimin e Metës dhe i ka dhënë jetë ngritjes së Komisionit Hetimor që do të hetojë shkeljet e Presidentit, duke ia lënë në dorë më pas Kuvendit shkarkimin.

Edhe këtu beteja është e thjeshtë për Ramën, pasi 94 votat i siguroi (madje i kaloi “100”), kur miratuan në Kuvend rezolutën për ta shpallur të paligjshëm dekretin për shtyrjen e zgjedhjeve.

4- Humbja e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve pro-Berishës

Një tjetër humbje e madhe për PD e Lulzim Bashën do të jetë humbja e gjyqtarëve dhe prokurorëve që historikisht i kanë nxjerrë të palagur nga çështje të nxehta të tyre.

Ata kanë shërbyer si “mburojë” për familjen Berisha, Ilir Metën, Edi Ramën por edhe për Lulzim Bashën për abuzime të ndryshme.

Me reformën në drejtësi, marrëveshjet e reja politike për zgjedhjen e Kryeprokurorit, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe atyre të Gjykatës së Lartë, Edi Rama do t’i bëjë me parlamentarët e rinj.

Gjithçka përmendëm më sipër janë padyshim produkti i dështuar i një marrëzie që e ideoi, projektoi dhe vendosi në zbatim Sali Berisha, por që me frikë dhe dëshirë për fitore në tavolinë u pranua edhe nga Lulzim Basha e Monika Kryemadhi.

Kjo strategji tashmë ka dështuar dhe dëmi që i është bërë Partisë Demokratike, është më i madhi që prej themelimit të saj në Dhjetor 90’.

Humbësi i madh i kësaj beteje është padyshim Lulzim Basha, por katastrofën do e vuajë Partia Demokratike, e cila tashmë rrezikon të zhduket nga skena politike shqiptare, pasi siç e thotë ligji i pashkruar i demokracisë kur një parti shuhet – një e re do të lindë.

Gazeta SHQIP





Comments are closed.