Përse Sali Berisha interesohet kaq shumë për DIGITALB?!

Dy postime në harkun kohor të tre ditëve! Të dyja një sulm i hapur ndaj kompanisë mediatike Digitalb.

Dora që i shkruan është e njëjta. Ajo e ish-kryeministri Sali Berisha, një njeriu të akuzuar vazhdimisht se kur ishte në pushtet i kontrollonte mediat nëpërmjet shantazheve, presionit dhe pazareve.

Ngjarja për të cilën Sali Berisha ka reaguar sot lidhet sipas tij me një incident që ka ndodhur mes Drejtorit të Përgjithshëm të Top Channel, Ben Blushi dhe ish-drejtorit (të shkarkuar) të Digitalb, Alban Jaho.

Berisha pretendon se pas incidentit policia ka shkuar në shtëpinë e Jahos dhe ka terrorizuar familjarë të tij.

Postimi nr.2 i Berishës!

Por sa e vërtetë është e gjithë kjo?!

Kjo mbetet të sqarohet nga institucionet përkatëse dhe jo nga ish-kryeministri Berisha përmes statuseve të tij në rrjetet sociale, që për hir të së vërtetës shumica e tyre kanë rezultuar mirëfilli sajesa.

Por nga njerëz të pranishëm, dhe nga kamerat e lokalit të administruara nga Policia, nuk patur sulm fizik, as goditje, as grushta, as prekje, as shpulla dhe as gjakosje. Ka patur vetëm një tentativë për të krijuar një incident nga Alban Jaho, por ai është nxjerr direkt jashtë nga bodyguardët.

Por kjo është një çështje tjetër, që nuk ka lidhje më këtë shkrim.

Sot shqiptarët duan të dinë: Përse Sali Berisha po  interesohet kaq shumë për Digitalb dhe Alban Jahon, në fundin e karrierës së tij politike?

Të dielën që ishte pushim, Berisha harroi protestën dhe bëri statusin e parë në mbështetje të Alban Jahos. Sot, pasi u arratis në Vjenë, sërish nxorri një status duke folur për Digitalb, 4 ditë para zgjedhjeve.

Pra, Berisha po interesohet për Digitalb dhe po mbron Alban Jahon, por ndërkohë ka harruar të merret me protestuesit.

Qartësisht është e dukshme se Sali Berisha po kërkon me çdo kusht të ruajë influencën në tregun mediatik, duke futur thellë duart në Digitalb.

Berisha prej vitesh ka tentuar të futet si një urith i vërtetë në punët e brendshme të Top Channel dhe Digitalb.

Madje, postimi i sotëm i tij duket edhe më i sajuar në kushtet kur avokati i përzgjedhur nga Alban Jaho, në padinë kundër Digitalb është Neshat Fana.

Ky i fundit njihet gjerësisht si avokati që ka mbrojtur familjen Berisha në të gjitha proceset gjyqësore nga vetë ish-kryeministri e deri tek familjarët e tij.

Arsyet e ndërhyrjes tek punët e brendshme të Digitalb janë të shumta, por më kryesorja është ajo e influencës dhe përfitimit financiar.

Sali Berisha i ka shijuar të gjitha nivelit të pushtetit në Shqipëri dhe tashmë që po del nga tregu politik, tenton të kapë median ndoshta për t’i bërë bisht përballjes me pandëshkueshmërinë disavjeçare.

Ndërkohë, vlen të theksojmë se tentativat për të kontrolluar mediat nga ana e Berishës janë të hershme dhe zakonisht realizoheshin nëpërmjet dy formave. Ish-kryeministri ka mbajtur nën tutelë, televizione dhe gazeta ose duke dhënë reklama shtetërore gjatë kohës që ishte në pushtet, ose ka përdorur kërcënimet me gjoba për të arritur qëllimin.

Në kohën kur kontrollonte të gjitha pushtetet, madje edhe Gjykatat e Prokuroritë, Berisha i vendosi një gjobë disa milionë euro Top Channel dhe tentoi t’i mbyllte gojën, pasi pasqyronte te publiku shkeljet dhe vrasjet shtetërore që ai kryente.

Madje në shumë raste ekstreme gjatë karrierës së tij politike, Berisha mbahet mend për dhunimin e gazetarëve nga struktura direkte të Partisë Demokratike, apo persona të lidhur fort me të.

Dhe kjo “dashamirësi” që Berisha shfaq së fundmi ndaj Digitalb, nuk është asgjë tjetër, veçse një frikë e tij, nga humbja e pushtetit mediatik.

Prandaj Berisha dhe shpura e tij, duhet të qetësohet dhe mos të mbaj shpresa për kapjen e dy mediave më të mëdha në Balkan.

Sepse Top Channel dhe Digitalb janë tërësisht në shërbim të qytetarëve!

Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.