“Zgjedhje si Enveri s’ka”/ Basha ndryshon kushtin e panegociueshëm për Ramën

Ashtu si rivali i tij Edi Rama dy ditë më parë, edhe Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ku ka folur për krizën politike në vend, shitblerjen e votave dhe kushtet që ka ai për t’u ulur në dialog me kryeministrin.

Kreu i PD vendos një kusht të panegociueshëm për zgjidhjen e krizës, pasi thotë se “nuk ka dalje nga kriza politike në Shqipëri pa u ndëshkuar personat që kanë kapur shtetin me krim të organizuar dhe korrupsion”.

Çuditërisht për kreun e opozitës kushti për dialog nuk është më “ikja e Edi Ramës”, të cilën e ka kërkuar në 9 protesta kombëtare.

Ai gjithashtu ripërsëriti se zgjedhje më 30 qershor nuk mund dhe nuk do të ketë me një parti të vetme dhe se ftesa e kryeministrit Edi Rama për dialog të brendshëm politik është vetëm “hedhje hi syve” të qytetarëve.

INTERVISTA:

Shqipëria ndodhet në një ngërc politik, cili është misioni juaj për daljen nga kjo krizë?

Kriza politike ka tre dimensione, kapjen e pushteteve në një dorë, pra autokracia si qeveria, parlamenti drejtësia, media, ekonomia dhe publikimet e Bild dëshmojnë dëshmojnë se kemi shkrirje të krimit, e qeverisë, partisë në pushtet në një. Zgjidhja e krizës politike nuk mund të kalojë nga marrëveshje e rëndomtë politike me një pazar mes palësh, nuk mund të ketë zgjidhja pa drejtësi e pa ndëshkuar politikat e lidhur me krimin, kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë prodhuar themelet e kësaj krize, një parlament ilegjitim me paratë e drogës e krimit.

Pse mendoni se bojkotimi i zgjedhjeve dhe i mandateve është zgjidhja e duhur për Shqipërinë?

Ne përfunduam së qeni një fasadë i një Kuvendi të faktuar si produkt i diktatit të krimit. Provuam që brenda dy viteve në këtë kuvend të bënim reformat e duhura për të shkatërruar këtë lidhje mes krimit dhe politikes. E nisëm me komisione hetimore parlamentare për rolin e politikanëve kryesor në vend dhe kthimin e Shqipërisë në një bazë të drogës, komisionet u sabotuan ndonëse sipas kushtetutës që është e drejta e opozitës të kishte hetime të tilla parlamentare, të hetojë këto dosje që kanë dalë një pjesë e përgjimeve, e përmes kapjes së prokurorisë qeveria i stopo hetimet e dosjes 339/1 dhe 184 që është vjedhja e zgjedhjeve në Dibër nga zyrtarë të PS bashkë me krimin.

Ndërkombëtarët në Shqipëri ka kërkuar që kjo krizë të zgjidhet me dialog, po ashtu Rama ju ka ftuar për dialog, cila është përgjigja juaj ndaj një ftese të tillë?

Ftesat për dialog që bëhen për sy e faqe e për propagandë nuk janë festa por përpjekje për t’i hedhur hi syve njerëzve. Në krizën aktuale është e qartë se shkaktari kryesor është Rama që për karrigen e tij ka lidhur një pakt me krimin që faktohet edhe në dosjet hetimor. Që zgjedhjet janë vjedhur në gjithë territorin, rrjetet kriminale kanë bashkëpunuar me PS, me lloj lloj metodash, me presione ndaj administratës, ndalimin e votuesve të opozitës, përdorimin e policisë për të manipuluar zgjedhjet.

Në këtë proces është përfshirë e gjithë kupola politike dhe administrata.   Në këtë ndërmarrje janë mobilizuar të gjithë kriminelët e vendit, Bajrët, Imer Lalët, Shullazët për të marrë pushtetin përmes shitblerjes së votës.

Pra kemi të bëjmë me një shtet të shkrirë me krimin, ndaj asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa ndëshkuar hajdutët e votave, qofshin kriminelë të rrugës apo politikanët e lidhur me krimin. Ky është kusht i panegociueshëm. Nëse nuk arrijmë këtë, do të shkojmë në një krizë edhe më të thellë.

Edhe pse presidenti anuloi zgjedhjet, PS insiston se zgjedhjet do mbahen më 30 qershor. Cili është qëndrimi i PD?

Për ne është e qartë se 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh. Votime ka edhe në Korenë e Veriut, për liri e demokraci flet edhe Maduro i Venezuelës, por këto nuk janë standarde perëndimore. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitës e vetëm me një kandidat. Kjo na kthen pas në sundimin e Enver Hoxhës. Nuk ka zgjedhje më 30 qershor, ka një tentativë të një partie të kriminalizuar nga një kupolë njerëzish që e kanë braktisur interesin publik prej kohësh, që kanë në dorë pushtetin, pasuritë, mediat, drejtësinë dhe duan që me proces farsë të kapin edhe pushtetin lokal.

Zgjidhja është e qartë, ose do pranojmë Shqipërinë e atyre, një grushti njerëzish që kontrollojnë gjithçka ose do të bëjmë çdo përpjekje për Shqipërinë për vlerat parimore të demokracisë e shtetit të së drejtës.

Si mendoni se do reflektojë kjo situatë në hapjen e negociatave për anëtarësim?

Ka tre vjet që vendit i refuzohet hapja e negociatave sepse nuk përmbush detyrat. Dëshmi e saj është edhe vota e parlamentit holandez për t’u rikthyer shqiptarëve vizat, diçka që ne me shumë sakrifica i hoqëm në 2010 për shkak të drogës, krimit.

Europa nuk është kundër shqiptarëve, por kundër drogës e qeveritarëve të korruptuar. Rruga për negociatat është e thjeshtë, nuk shkohet në Europë pa u sjellë si europianë, pa respektuar themelet e bashkëjetesës demokratike evropiane, një standard, zgjedhje të lira e të ndershme.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.