Opozita pa lidership, Basha thjesht një lider!

Nga Zilie Feçi

Lideri i opozitës, ndonëse e gëzon mandatin e tij si kryetar i Partisë Demokratike prej vitesh, vetëm tani e ka treguar veten realisht si kryetar. Është dashur pikërisht protesta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që Lulzim Basha të gjejë vetveten dhe të kthehet në kryetar i vërtetë i opozitës, të paktën në sytë e militantëve. Në kërkim të identitetit të humbur, për shkak të sfumimit nga kryetari historik i demokratëve Sali Berisha, për Bashën, ky është momenti më i mirë për të drejtuar demokratët, apo të udhëheqë opozitën. Zgjedhjet lokale të këtij viti do të ishin prova e vërtetë e Bashës si lider, gjë që nuk ndodhi dhe kjo I heq jo pak pikë si lider. Por, mbi të gjitha Basha, prej muajsh është vënë në kërkim të detajit që do e çojë atë më afër elektoratit.

Qartësisht mund të thuhet se Basha kurrë nuk ka drejtuar vetëm. Ai që e ka orientuar përherë ka qenë Berisha, edhe për arsyen se ky i fundit kishte mundësi të bënte pafund politikë në Parlament. Por, pavarësisht të gjithave, Basha ka gjetur brenda vetes liderin e opozitës. Madje, ka nisur të ngrejë tonet dhe të mos ketë asnjë tërheqje siç deklaron nga kërkesat e tij që prej fillimit të protestës që nisi në 16 shkurtin e këtij viti. Basha në fakt mund të jetë lider, por nuk besoj se ka gjasa të jetë lidership. Partia Demokratike dhe opozita në tërësi kanë nevojë për lidership, por mesa duket nuk ka për të ndodhur, duke e futur PD dhe aleatët e saj në provimin e fortë të çdo palë zgjedhjeve që do bëhen në Shqipëri me apo pa Ramën në qeverisje. Për Bashën, edhe ndërkombëtarët duket se janë “kundër” tij, duke mos pranuar të bëjë asnjë tërheqje, pavarësisht se ka pasur ftesa për dialog. Nga ana tjetër, mendohet se një ndërhyrje nga “më të mëdhenjtë” e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta kthejë Bashën me këmbë në tokë, ndonëse duket tejet e vështirë me qëndrimet e deritanishme. Më shumë se e çuditshme, tashmë është fakt; Që Basha është braktisur, sepse bojkoti, bllokimi i Reformës në Drejtësi, mosmarrja pjesë në proçesin zgjedhor dhe të tjera.

Por gjithsesi, nëse Basha do hynte në zgjedhje mund t’i shtonte atij kreditet si politikan. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për Shqipërinë, ku do shihet nëse do jetë një krizë më e madhe se deri më tani, apo do ketë një rrugëzgjidhje përmes të shumëpërfolurit dialog. Sjellja politike e Bashës në këtë moment është e rrezikshme. Sepse, nuk do ishte çudi, që në fundin e mandatit të kujtdo qeverie e majtë apo e djathtë, në zgjedhje vendore, apo të përgjithshme, pala në opozitë të ngrihej në fundin e mandatit dhe të kërkonte të mos bëhen zgjedhje?!

Atëherë, precedenti i tanishëm, nuk ka pse të mos ndodhë edhe në fundin e katërvjeçarit të ardhshëm të mandatit të kryebashkiakëve. Dhe pyetja është: A është ky precedent, që e frikëson Edi Ramën? Shumë analistë thonë se rreziku për t’u kthyer në precedent ekziston. Dhe në një Shqipëri me institucione të brishta, apo edhe më keq ende të paformalizuara edhe pas miratimit të Reformës në Drejtësi, precedenti kthehet në alternativë të vetme.

Të gjitha këto, të bëjnë të mendosh, ose më saktë të krijosh bindjen se Basha është një lider, po aq sa çdo kryetar partie në këtë vend, por nuk është aspak lidership.

Sot opozitës i duhet lidership, jo thjesht një lider!





Comments are closed.