Kriza politike/ 3 “muskutjerë” të PS analizë shqetësuese: Të tërhiqet Rama!

Tre socialistët me peshë që kanë lënë gjurmë në këtë subjekt politik, Arben Malaj, Irena Beqiraj dhe Edlira Haxhiymeri gjykojnë se duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë të menjëhershme për të shmangur përplasjen politike dhe civile.

Ndërsa vendi është në kulmin e krizës së fortë politike dhe sociale, agresiviteti militantesk i rreshtuar në llogoret partiake, i ka shuar zërat qytetare dhe intelektuale që mund të ofrojnë një zgjidhje “të mesme të artë”.

Secila palë duhet të lëshojë diçka për të fituar shumëçka, që në situatën e krijuar, do të thotë shmangie e përplasjes civile. Kur zërat që bëjnë thirrje për qetësi dhe zgjidhje të krizës vijnë si ish-përfaqësues të mazhorancës kanë edhe më shumë vlerë, ndonëse të pakët që po dalin publikisht në kritika ndaj mënyrës së qeverisjes.

Ish-ministri i Financave dhe deputet për disa legjislatura si përfaqësues i Partisë Socialiste Arben Malaj, në një intervistë për gazetën “Mapo” shprehet se ka besim që do të shkohet në një zgjidhje, pasi pasojat do të ishin mjaft të rënda për vendin.

Mendoj se është momenti që të gjithë ata që kanë mundësi të bëhen pjesë e zgjidhjes, duhet të vënë sfidat e vendit mbi preferencat e tyre individuale. E them këtë për të gjithë që kanë një jetë të gjatë politike. E dinë shumë mirë se çfarë ka vuajtur vendi në tranzicionit e tij”, shprehet Malaj.

Ish-ministri gjykon se edhe këtë herë faktori ndërkombëtar do të ushtrojë presion pozitiv që palët të gjejnë një zgjidhje, por në këndvështrimin e Malajt ajo duhet të jetë afatgjatë ku opozita të ofrojë alternativë dhe mazhoranca të japë zgjidhje, jo vetëm në shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por në ofrimin e garancive ligjore dhe kushtetuese për të pasur zgjedhje të lira dhe ndershme.

Ndërkohë, ish-zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave Irena Beqiraj kritikon klasën politike në vend, duke nisur që nga Partia Socialiste ku ajo aderon.

Është deformuar vota nga të gjithë palët politike”, shprehet Beqiraj, e cila shton se reflektimi duhet të fillojë nga brenda partive politike.

Intelektualët ikën, ose janë tërhequr frikshëm dhe kur ikin intelektualët mbeten gjithë njerëzit që e përdorin partinë që të bëhen deputetë, për t’u bërë ministra, kryetarë bashkie dhe drejtorë drejtorie. Jemi në kushtet që këta njerëz shikojnë partinë si një mundësi për të zënë tepsinë”, argumenton Beqiraj.

Ish-deputetja e PS-së dhe profesoresha Edlira Haxhiymeri shprehet se konfliktualiteti i madh politik nuk vjen vetëm nga mungesa e votës së lirë dhe të ndershme, por edhe nga shuarja e zërave kritikë brenda subjekteve politike. “Pas 14 vitesh në krye të PS-së Edi Rama kontrollon në mënyrë absolute Partinë Socialiste. Kur them e kontrollon në mënyrë absolute, dua të theksoj që ka humbur çdo element demokracie”, shprehet Haxhiymeri. /MAPO

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.