“O Hyj, bijtë e tu s’merren vesh – rrezikojmë të përgjakemi”, Meta me lutje të veçantë për zgjidhjen e krizës!

Reagimet e tij nuk kanë munguar asnjëherë në momente tensioni në politikën shqiptare dhe kanë qenë mesazhe për bashkëpunim në emër të kombit, shmangien e përplasjeve vëlla-vrasëse dhe mbi të gjitha të punuarit me dashuri për kombin.

Po flasim për Dom Gjergj Metën, i cili edhe në kulmin e përplasjeve mes palëve për zgjedhjet e 30 qershorit ka reaguar sërish, duke iu lutur Zotit që që të hedh një sy tek populli shqiptar, që rrezikon të ndahet, përçahet dhe përgjaket.

Me anë të një videomesazhi, Dom Gjergj Meta shpreh këtë lutje të veçantë, në mënyrë që të dëgjohet edhe nga politika.

“Por sot, tani në këto ditë o Hyj, ne bijtë e tu po rënkojmë nga pamundësia për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin. Ata që duhet të na udhëheqin gjenden në një udhëkryq e po ashtu vendi ynë gjendet në udhëkryq. Rrezikojmë të ndahemi, të përçahemi e të përgjakemi duke luftuar me njëri-tjetrin për shkak të bindjeve politike a për t’i qëndruar besnikë prijësve politikë.

Na jep o Zot paqe për vendin tonë! Krijo në ne një shpirt besnikërie ndaj familjes, kombit dhe të ardhmes, më shumë se ndaj ideve apo prijësve politikë që shkojnë e vijnë”, thekson Meta.

Nga Dom Gjergj Meta

Lutja për Shqipërinë në kohë krize

O Hyj, hidhi sytë e tu plot dashuri mbi popullin tonë shqiptar, mbi Shqipërinë tonë!

Ti na ke bekuar, pasi na ke dhënë një gjuhë, një komb, një natyrë të mrekullueshme, detin dhe malet. Na ke bekuar me fëmijë, të rinj, të rritur e të moshuar. Nëpër dallgët e historisë, që shpesh ka qenë e pamëshirshme me ne, ti na ke dalë Zot e ne kemi mbijetuar. Na ke mbajtur në krahët e tu si shqipja zogjtë e saj. E ne ta dimë për nder e të falenderojmë.

Por sot, tani në këto ditë o Hyj, ne bijtë e tu po rënkojmë nga pamundësia për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin. Ata që duhet të na udhëheqin gjenden në një udhëkryq e po ashtu vendi ynë gjendet në udhëkryq. Rrezikojmë të ndahemi, të përçahemi e të përgjakemi duke luftuar me njëri-tjetrin për shkak të bindjeve politike a për t’i qëndruar besnikë prijësve politikë.

Na jep o Zot paqe për vendin tonë! Krijo në ne një shpirt besnikërie ndaj familjes, kombit dhe të ardhmes, më shumë se ndaj ideve apo prijësve politikë që shkojnë e vijnë.

Jepu politikanëve tanë të të gjitha krahëve urtinë e mendjes dhe dashurinë e zemrës, që të ulin armët e konfliktit e të lartësojnë flamujt e bardhë të paqes.

Ndihmoje vendin tonë të ngrihet e të përparojë, të jetë krah vendeve të zhvilluara evropiane, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe çdo individ, sidomos të varfërit e të mënjanuarit, e ku të rinjtë e të rejat ndërtojnë jetën e tyre, pa pasur nevojë të ikin gjetiu.

Bekoje o Zot Shqipërinë! Bekoji shqipëtarët!

Amen!

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.