E rrallë/Do ekstradohet nga SHBA për prostitucion. Kush është 82-vjeçari shqiptar që…

Periudhën që e kaloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ilegalisht, 82-vjeçari Ramiz Bordoniqi nga Komuna e Gjakovës ia pa sherrin pas disa viteve. I njëjti pas një kërkese të SHBA‘së,  që u përcoll nga INTERPOL-i, u arrestua në shtëpinë e tij, nën dyshimet për mundësim ose detyrim në prostitucion, blerje, posedim, shpërndarje apo shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, shkruan Gazeta Express

Dyshimet janë se Bordoniqi kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1998, duke qëndruar aty në mënyrë ilegale, që nga janari i atij viti e deri në shtator të vitit 2001.





Për këto tre vite, ai dyshohet se e ka ndihmuar vëllain e tij për të zhvilluar një ndërmarrje të prostitucionit dhe narkotikëve në Fair Banks në Alaska.

82-vjeçari u arrestua në Gjakovë ditë më parë, derisa dje, Prokuroria Themelore e Gjakovës bëri kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

“Prokurori i rastit ka konsideruar se në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik dhe Ndërkombëtar në çështjet penale dhe në bazë të marrëveshjes mbi ekstradim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, janë plotësuar kushtet për ekstradim,  prandaj ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 40 ditësh”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar prokuroria përkatëse për këtë rast.

Ai ishte larguar nga Amerika pasi që dyshohet se ka kryer të gjitha këto vepra për të cilat është vënë edhe në kërkim ndërkombëtar./Express

 





Comments are closed.