Vdiq në burg për mosmjekim, familja mposht shtetin në Strasburg …merr 12 mijë euro (EMRI)

Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë familjes së një të dënuari i cili ndërroi jetë në spitalin e burgut dhe për mos mjekimin e tij shteti shqiptar u gjobit me 12 mijë euro.

Çështja që zgjati disa vite në gjykatat vendase e më pas në gjykatën europiane të të drejtave të njeriut u vu në lëvizje nga shtetasi Fatos Prizreni që është vëllai i të ndjerit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit që e përfaqësoi familjen e të ndjerit në të gjitha shkallët e gjyqësorit deklaron se prokuroria nuk e hetoi siç duhet vdekjen e të dënuarit.





“Raporti mjeko-ligjor konstatoi në trupin e të ndjerit se në kuçet e tij kishte disa shenja dëmtimi me mjete të mprehta, por nuk mund të përcaktohet se çfarë ishin konkretisht këto mjete të mprehta. Atëherë vëllai dyshoi se personi ishte mbajtur me pranga gjatë kohës që kishte qëndruar në spitalin civil, pasi edhe më parë që kishte qëndruar në këtë spital, kishte rezultuar se vëllai ishte lidhur me çarçaf për të mos ikur. Ndërkohë që duhet thënë se Shpëtim Karadakliu vuante nga sëmundja e obezitetit dhe insufiçencës multi të organeve të tij që e bënte të pamundur praktikisht dhe objektivisht ikjen e tij. Gjithashtu nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se nuk kishte shenja medikamentesh në gjakun e viktimës, ndërkohë që ai ishte mbajtur në spital. Në këto kushte iu drejtua Gjykatës së Strasburgut. Pas tre vitesh kjo gjykatë ka dalë me një vendim në favor të aplikantit, në favor të Fatos Prizrenit duke thënë që: vdekja e vëllait të tij në spital dhe rrethanat që kanë çuar në vdekjen e tij nuk janë hetuar në mënyrë adekuate dhe të përshtatshme, pra efektive nga autoritetet shqiptare”- tha Erida Skëndaj.

I dënuari ndërroi jetë në 2011 në spitalin e burgut. Kur i vëllai shkoi ta takonte ai kishte ndërruar jetë. Nga dosja e spitalit thuhej se sh.p ishte diagnostikuar me elefantozë , obezitet i rëndë dhe se ai merrte mjekim, por nga analizat rezultoi se ai nuk kishte në gjak gjurmë medikamentesh dhe se në duar kishte shenja të prangave.

Ky vendim i Strasburgut i hap rrugë edhe padive të disa të dënuarve të tjerë , mes tyre çështjes së të burgosurit Fotaq Zaharia i cili pretendon në gjykatën e Strasburgut se shteti shqiptar nuk i ofron mundësinë për tu diagnostikuar.





Comments are closed.