“Shqipëria s’është gati për në BE”, Rama i përgjigjet edhe Metës nga “Al Jazeera”

Të dy në të njëjtën ditë, për të folur për të njëjtin problem dhe për të theksuar se e para është Shqipëria.

Po flasim për Ilir Metën dhe Edi Ramën, të cilët kanë dalë sot në “Al Jazeera” nëpërmjet intervistave të realizuara në Tiranë, ku flasin për përplasjen midis tyre lidhur me datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, mënyrën si do zgjidhet kriza politike dhe integrimin në BE.

Teksa Meta theksoi se dekreti i tij për ç’dekretimin e zgjedhjeve është botuar në Fletoren Zyrtare dhe zgjedhje më 30 qershor s’do të ketë, Edi Rama përgjigjet duke thënë se ndryshimi i datës së zgjedhjeve lokale do të minonte demokracinë e Shqipërisë.


Ndër të tjera shefi i qeverisë e pranon hapur se vendi ynë nuk është ende gati për të hyrë në BE por ngul këmbë se negociatat janë të merituara.

Rama: Nëse do vendosim precedentin që një parti, dy parti, tre parti, një palë, vendos të imponojë kushtet e zgjedhjeve, atëherë këtë precedent do e kemi për shumë vite në vazhdim. Në fund të fundit, zgjedhjet nuk bëhen që të vendosin politikanët, por që njerëzit të vendosin për politikanët.

Një raport i Komisionit Evropian i vitit 2019 thotë se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme por ende duhet të punojë për të trajtuar çështje të tilla si korrupsioni dhe krimi i organizuar. Raporti  thotë se korrupsioni është ende “mbizotërues në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese”. Edhe Rama e njeh problemin.

Rama: Mendoj se Shqipëria ka një problem me krimin e organizuar dhe korrupsionin, si çdo vend që nuk është ende një shtet modern dhe funksional. Prandaj jemi në këtë proces, prandaj nuk jemi anëtarë të BE-së, prandaj nuk po pretendoj se është një padrejtësi që nuk jemi anëtarë sot. Ne duhet të përgatitemi, të modernizohemi, të luftojmë krimin dhe korrupsionin me vullnet të fortë, por gjithçka ka të bëjë me institucione shumë të forta dhe mekanizma shumë të fuqishëm dhe funksional në çdo drejtim.

Ai thotë se ka shumë punë për t’u bërë.

Rama: Kur e kthej kokën 5 vjet e gjysmë pas dhe shoh nga kemi ardhur, kemi bërë gjëra domethënëse. Por kur shoh përpara, ku duam të shkojmë dhe ku dua ta çoj vendin, ka shumë për të bërë.

Shefi i qeverisë shqiptare deklaron se nëse bisedimet e pranimit do të jenë të suksesshme, do të përfitojnë si Shqipëria ashtu edhe BE-ja.

Rama: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë të rrethuar nga kufijtë e BE-së, kështu që ne jemi disi një organ i një trupi që tërhiqet nga trupi. Është një zonë brenda Bashkimit Evropian që nuk duhet lënë si një hapësirë e hapur për aktorët e tjerë që mund të mos jenë shumë të prirur për të parë përparimin e Bashkimit Evropian .

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.