“Na veçoni nga Shqipëria”/ Ramës s’i del inati me Pendarovskin, ja ç’tha nga Pusteci

Problemi më i madh është ‘ndarja’ me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe ne jemi ‘veçuar’”.

Kështu u shpreh Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski për “Euroactiv”, në një intervistë që acaroi jo pak kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili gjithmonë ka theksuar se të dy vendet do të ecin së bashku në rrugën e integrimit, por fqinji lindor aktualisht është në pozita më të favorshme.

Rama reagoi në Tëitter pas deklaratës së Pendarovskit, i cili kërkoi shkëputjen nga Shqipëria në këtë proces, duke e quajtur të çuditshme një qasje të tillë.





“Presidenti @SPendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë&shqiptarëve në zhvillimet demokratike&rrugën europiane të shtetit mik.S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!”, shprehej shefi i qeverisë.

Por, duket se Ramës nuk i ka dalë ende inati me Pendarovskin e më shumë me Ilir Metën, të cilin e kritikoi sot nga Pusteci se ndryshe nga homologu i tij maqedonas po dëmton rrugën evropiane të vendit.

Kreu i qeverisë nga bashkia e vogël minoritare foli sërish për deklaratën e Pendarovskit duke thënë se është sqaruar me të. “Unë dje bëra një prononcim për një tjetër mik të mirë që është presidenti i Maqedonisë së Veriut lidhur me një deklaratë të bërë prej, tij ku lexova në mënyrë të nënkuptuar se problemet e Shqipërisë nuk duhet të jenë pengesë për Maqedoninë dhe nënkuptimi ishte që të jenë të ndara në këtë proces. Presidenti më shkroi dhe u sqaruam”, tha Rama.

Por ai theksoi se Stevo Pendarovski, në dallim nga Presidenti i vendit tonë, po lufton në përpjekje për të anëtarësuar popullin e tij në BE.

“Ka një dallim të rëndë në fakt, që është për ta ardhur keq për ne. Presidenti i Maqedonisë së Veriut është pjesë e përpjekjeve për të bindur vendete anëtare se duhen çelur negociatat. Presidenti i Shqipërisë është pjesë e përpjekjeve për të kundërtën se do të krijojë një dyshim që do kthehet në bindje se Shqipëria nuk meriton çeljen e negociatave”, deklaroi Rama.





Comments are closed.