Një strehë për Georges Brassens

Luan Rama

Një kitarë është një kitarë e s’mund të jetë tjetër, veçse një kitarë. Por, megjithatë, kitara ka shpirt. Ajo këndon. E keni dëgjuar Georges Brassens? Ka qenë banor i lagjes sime në Paris, një banor i jashtëzakonshëm që ka jetuar 200 metra më larg, ku sot shumë vizitorë, kureshtarë për jetën e artistit shkojnë në atë rrugicë të ngushtë në 9, Impasse Florimont, të shohin strehën ku për 22 vjet me radhë jetoi këngëtari, poeti dhe kompozitori i shquar i Francës së pasluftës, Georges Brassens. Kur unë u vendosa në këtë lagje, ai kishte vite që kishte vdekur. Atje ndodhet ende ajo shtëpiza e ulët, ai oborr i vogël, që kur ai shkeli për herë të parë në vitin 1943.





Atëherë aty ishte një babiloni objektesh, vjeturinash, macesh, kanarinash, qensh e ku gjeje madje dhe breshka. Aty jetonte një çift anonim, Marcel dhe Jeanne Planche … Në atë portë, ai do të shikonte për herë të parë atë që do të ishte e dashura e tij, edhe pse 30 vjet më e madhe. E megjithatë në dashuri s’ka moshë, por ka ndjenjë, dëshirë, përkushtim. Edhe pse ka vdekur prej më shumë se 40 vjetësh më parë, Brassens mbetet një këngëtar mjaft i parapëlqyer në Francë. E dëgjojmë dhe përjetojmë një botë tjetër, madje kam miq si Alket Cani që kompaktdiskun e tij e dëgjon vazhdimisht në makinë, aq sa kur ai e vë gjatë rrugës, këndon njëkohësisht me të. Një këngëtar i mrekullueshëm e një poet i madh padyshim, ky djalosh i përhershëm quhej Georges Brassens.

Një legjendë në këngë, një legjendë në dashuri … Meqë adoleshenca e tij ishte e stuhishme dhe prindërit shpesh shkonin dhe e merrnin në polici për plaçkitjet që bënte me bandën e tij, ata e dërguan në Paris te tezja e tij Antoinette dhe përmes saj ai njohu Jeanne (Zhanë), të cilës do t’i kushtonte dhe atë këngë kur ishte i ri, larg, në Gjermani. Dy vjet pasi erdhi në Paris, meqë Franca ishte pushtuar nga ushtria hitleriane, ai fillimthi punoi në uzinën Renault dhe kur këto uzina u bombarduan, më pas u detyrua të shkojë në Gjermani, në uzinat e cilindrave të avionëve BMW në Bandsford, sipas urdhrit të autoriteteve gjermane për “Shërbimin të detyruar”. Një vit më vonë, duke përfituar nga një leje për të ardhur në Francë, ai zbarkoi në Paris dhe u fsheh në shtëpinë e mikeshës së tezes së tij, te Jeanne Planche.

Ishte mars i vitit 1944 dhe jashtë ishte shtetrrethim … Muaj me radhë pa dalë nga shtëpia, gjithnjë me fytyrën e mirë të Jeanne, përpara, në mbrëmje, në gjumë … dhe në ëndërr. Këtu nis dhe historia e një dashurie të madhe. Ai mendoi se do të fshihej atje veçse disa kohë nga spiunët e Gestapos, por kur tanket e gjeneralit francez Leclerc hynë në Paris, ai përsëri do të qëndronte aty. Si mund të ndahej nga Jeanne? Vitet do të pasonin njëri-tjetrin dhe kjo do të zgjaste plot 22 vjet. Lexonte Guillaume Apollinaire, François Villon, Paul Fort … Brassens e donte poezinë. Ishte një poet i lindur. Herë pas here, Brassens do të takonte vajza simpatike dhe historitë e tij do të ishin të shkurtra.

Në fillim 17-vjeçarja Jo, pastaj të tjera që binin shpejt në dashuri me djaloshin simpatik me mustaqe që dinte aq bukur të këndonte, por megjithatë, ai kthehej gjithnjë te Jeanne, atje në atë vatër të ngrohtë dashurie. Ah, Jeanne, ishte e ëmbël Jeanne, ishte bujare, por dhe Marcel-in nuk mund ta linte. Me dashurinë dhe bujarinë e saj ajo mbushte shpirtin e artistit të ri që i binte dollapit me duar që të krijonte ritmin e këngëve të ardhshme të tij. Ishte Jeanne që me paratë e saj i bleu një kitarë. Ishte Jeanne dhe i urti Marcel që dëgjonin të parët këngët e tij. Dukej sikur Jeanne ishte dhe e dashura, dhe nëna e tij që i mungonte dhe që jetonte atje larg në Sete, buzë Mesdheut. “Tek Jeanne … Jeanne, hoteli i saj është i hapur për njerëz pa zjarr, pa strehë, mund ta quajmë streha e Zotit të mirë nëse nuk do gjendej një tjetër, e fundit ku mund të hysh pa trokitur, pa treguar se kush je …” Kur tezja Antoinette i vdiq, ajo piano e vogël e saj erdhi aty në Impasse Florimont (Qorrsokaku Florimont). Brassens luante edhe pse nuk e njihte solfezhin. Jeanne dhe Marcel ishin spektatorët e parë të tij. Pastaj erdhën shokët e tij, të gjithë antimilitaristë dhe antiimperialistë, ata që ishin kundër luftërave dhe që luftonin për të drejtat e punëtorëve.

Ja pse ata krijuan shoqatën Le Monde libertaire. Jeanne shërbente, u jepte dashuri dhe Brassens këndonte gjer natën vonë. Jeanne ishte një shpirt i bukur. Kështu filloi karriera e artistit me mustaqet dhe llullën e tij të përhershme në gojë: nga ajo kthinë e vogël ku flinte në kuzhinë, te kabaretë e para e më pas në suksesin e madh të skenave të Olympia-s. Kur ishin vetëm, Brassens vazhdonte t’i këndonte të dashurës së tij: Tek Jeanne … Jeanne, kushdo mund të vijë, s’dihet nga dhe si mrekullisht, nga gëzimi ne bëhemi si njerëz të një familjeje në zemrën e saj e shtyjmë nga pak por ende ka dhe një vend tjetër … Më pas në jetën e tij hyri një estoneze e bukur që njohu në Paris, Joha Heiman. Ai e quante Püpchen, që në gjermanisht do të thoshte “kukull e vogël”, të cilës i kushtoi aq këngë të bukura si Kam një takim me ty, Sa i vogël u bëra para teje apo Moskërkesa për martesë …. Edhe ajo ishte dhjetë vjet më e madhe se ai, por dashuria e tyre do të jetonte gjatë aq sa dhe para se të vdiste, ajo kërkoi të varrosej në varrin e tij.

Ishte kjo dashuri që e detyroi Brassens-in të ikte më së fundi nga Impasse Florimont drejt një jete tjetër, edhe pse Jeanne, mbeti mikesha më e madhe dhe e paharrueshme për të. Tek Jeanne … Jeanne, tavolina është e varfër dhe pak gjëra ka, por dhe ajo pak që gjen të ngop për jetë nga mënyra si ta ofron, buka e saj i ngjan një ëmbëlsire dhe uji njëlloj si vera ngjan … Kur Brassens u largua nga Impasse Florimont, 22 vjet më pas, ai do të bënte karrierën e artistit të madh dhe një prej këngëtarëve dhe kompozitorëve më të mëdhenj e më origjinalë francezë, krahas Jacques Brel, Leo Ferré, Edith Piaff, Serge Gainsbourg …

Edhe pse vdiq shpejt, në moshën 60-vjeçare (1981), kënga e tij poetike vazhdoi udhën e vet, pasi ajo është kënga e njeriut të thjeshtë, e njeriut të rrugës, e udhëtarit në kërkim të një bote më të mirë e më humane, siç këndon dhe në atë këngë të mrekullueshme që ende e dëgjoj, kur djaloshi me një çadër të vjetër mbulon me të një vajzë në shi: Sa ëmbël ishte tek ecnim të dëgjonim të dy atë këngë të bukur që krijonte uji qiellor mbi çatinë e çadrës time … Dëgjoj Brassens dhe meditoj për dashurinë e njeriut: vallë a ka barrierë moshe, ngjyre, kombësie? Kujtoj Jeanne dhe mendoj për Marguerite Duras, shkrimtaren time të parapëlqyer.

Kujtoj dashurinë e saj me Yan, ajo 40 vjet më e madhe dhe çmendurinë e tyre, dehjen, ekstazën përzier në alkool, ku mosha i shuante kufijtë e saj, ku trupi s’kish nevojë të ishte i lidhur, dhe ku ajo që kishte rëndësi ishin sytë, pasi sytë nuk mplaken kurrë, ata e ruajnë shkëlqimin e tyre nga lindja gjer në vdekje! Janë përçues dashurie! 9, Impasse Florimont – një strehëz dashurie! Pothuaj çdo ditë kaloj pranë saj … Mund të shkoni! Dhe nëse bie shi, s’ka gjë se Brassens ka “çadrën” e tij.





Comments are closed.