300 mijë lekë AMA-s që të vijonte transmetimin pa licencë/Ja përgjimet që fundosën zyrtaren e shtetit

Skandali i korrupsionit të anëtares së AMA-s, Suela Musta u zbulua rastësisht gjatë përgjimeve që Prokuroria e Krimeve të rënda kryente ndaj eksponentëve kriminale në qytetin e Elbasanit që u finalizua me operacionin ‘Krasta’ ku u arrestuan dhjetëra vetë, mes tyre 7 punonjës të administratës.

Nga përgjimet rezulton se personat tashmë të arrestuar ushtronin në mënyrë të jashtëligjshme transmetimet e një televizioni kabllor pa licencë edhe pas  sekuestrimit të një pjese të aparaturave nga inspektorët e AMA. “Shtetasi A.D. do të vijonte transmetimin televiziv pa licence, por se në lidhje me vazhdimin e këtij aktiviteti të kundërligjshëm duhet të bëhet një pagese prej 300 mije leke me qëllim që të mos kontrollohen nga inspektoret e Ama-s”, del nga hetimet.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A.D. (vjehrri i shtetasit B.K.) ka të regjistruar një TV me kabëll B…ne Bradashesh. Ky subjekt rezulton të jetë licencuar më datë 07.05.2011 deri në vitin 2022. Ndërkohë rezulton se në vendin e quajtur Labinot Mal, transmeton në mënyrë të paligjshme, një televizion kabllor i cili nuk ka liçencë. Nga hetimet ka dyshime të arsyeshme se pronari i këtij të fundit është shtetasi A.D. dhe aparaturat e transmetimit janë blerë nga shtetasi B.K. Më datë 27.09.2018 punonjës të AMA-s zyra e kontroll inspektimit, ka shkuar në pikën e transmetimit të sapocituar dhe ka ushtruar kontroll. Nga hetimet kanë lindur dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi B.K. në bashkëpunim me shtetasit A.D. dhe Sh.S. tentojnë të kryejnë veprime korruptive ndaj inspektorit të AMA-s duke i paguar një shumë prej 200 000 lekësh. Nga inspektorët e AMA-s janë sekuestruar disa aparatura në këtë pikë transmetimi të paligjshme. Ka rezultuar se nëpërmjet kësaj pike transmetimi, shpërndahet sinjal në mënyrë të kundërligjshme për 240 abonentë, për 27 kanale televizive dhe abonentët paguajne 600 leke në muaj. Pas sekuestrimit të një pjese të aparaturave nga inspektorët e AMA-s ata kanë vazhduar shpërndarjen në mënyrë të kundraligjshme të sinjalit për 10 kanale duke përdorur aparatet që inspektorët ia kanë lënë duke mos ia sekuestruar. Shtetasi A.D. ka cuar në pikën e transmetimit disa aparatura dhe është rritur kapaciteti i transmetimit nga 10 në 16 kanale. Në vijim A.D. ka blere dhe 22 aparatura te tjera me qëllim vazhdimin e punës. Shtetasi A.D. do të vijonte transmetimin televiziv pa license por se në lidhje me vazhdimin e këtij aktiviteti të kundëraligjshëm duhet të bëhet një pagese prej 300 mije leke me qëllim që të mos kontrollohen nga inspektoret e Ama-s”, zbulohet në dosjen e prokurorisë.





 





Comments are closed.