Skandali/ Projekti i ri i Unazës së Re, korruptiv dhe jo funksional!

Më 30 maj 2019, Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku dhe Bashkia e Tiranës me në krye Erion Veliajn, prezantuan projektin e ri për sheshin “Shqiponja”. Me këtë prezantim, dukej sikur “Unaza e Re” do të ishte më e aksesueshme, dhe me kosto më të lira.

Por në fakt nuk është ashtu!



Projekti i ri, i prezantuar si “paja për Tiranën”, vjen në formën e një nënkalimi me korsi të dedikuara për autobusët dhe biçikletat, ndërsa në projektin e parë të hartuar në kohën kur ministër ishte Damian Gjiknuri ishte parashikuar një nënkalim me dy kate.

Qartësisht nga projekti arrijmë të kuptojmë se kemi kaluar nga një zgjidhje në lartësi, në një zgjidhje në thellësi, por që jo detyrimisht është më e mira për sheshin “Shqiponja”, një nga nyjet më nevralgjike të Tiranës.

Faktikisht për të mbërritur deri te analiza teknike dhe e sigurisë rrugore të projektit nr.2 të “Unazës së Re”, duhet të kalojmë njëherë nga zyra e ministrit të Infrastrukturës, ku siç duket fshihet lepuri i një afere të madhe korruptive.

Duke u kthyer pas në kohë, atëherë kur shpërtheu skandali me falsifikimin e dokumenteve të DH Albania dhe kritikat për 1 km rrugë që do kushtonte plot 17 mln euro, kujtojmë se qeveria u detyrua ta anullojë tenderin për sheshin “Shqiponja” duke e rihapur sërish garën.

Në tenderin e dytë fatura për qytetarët u lehtësua ndjeshëm, teksa një bashkim kompanish shqiptare ofroi ta ndërtonte veprën me me një çmim 20 për qind më të ulët ose gati 4 milionë euro më pak. Por gjatë kohës që ofertat ishin në proces vlerësimi, ndodhin ndryshime të forta në qeveri. Damian Gjinkuri ja lë vendin Belinda Ballukut, e cila sapo erdhi në detyrë vendosi të anullojë tenderin duke paralajmëruar ndryshimin e projektit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

Gjithkush mendonte se Balluku do të hynte në analizën e shifrave, nga ku çuditërisht 1 km vlerësohej me 17 milionë euro, por nuk ka ndodhur kështu, pasi projekti aktual i karakterizohet nga dy të këqija të mëdha, që rëndojnë mbi xhepat e qytetarëve.

Së pari me projektin e ri përkeqësohen standardet dhe sëdyti fatura për qytetarët mbetet e njëjta. Belinda Balluku ka anulluar projektin e parë që ishte brenda parametrave evropiane dhe po na servir një tjetër, ku janë bërë zvogëlime dhe është tërësisht jo profesional.

Në fakt, projekti i mëparshëm i sheshit “Shqiponja” nuk ishte kontestuar nga askush teknikisht dhe ishte i gjithëpranuar si zgjidhja më e mirë për fluksin aktual të trafikut dhe atë që pritet në të ardhmen.

Sipas një analize të projektit nga gazetari Klodian Tomorri, në projektin e parë “Unaza” ishte parashikuar të ndërtohej me tre korsi, nga të cilët dy të parat ishin 3.75 metra të gjera dhe e treta, që do ishte korsia e emergjencës ishte parashikuar 3 metër, por me projektin e ri unaza futet nën nënkalim me vetëm dy korsi nga 3.5 metra për të vazhduar pas nyjes, gjë që mund të krijojë konfuzion dhe hinkë në rast trafiku të rënduar.

Vetëm me këtë fakt, projektimi i nyjes del nga standartet europiane dhe ato shqiptare në fuqi, të cilat jo vetem që parashikojnë në mënyrë kategorike vepra arti në të njëjtat parametra me aksin rrugor, por në disa raste edhe me seksione me të zgjeruara që investimi të zgjasë më shume në kohë sesa pjesa rrugore e segmentit.

Pra, numri i korsive ulet, gjerësia e tyre ngushtohet, ndërsa fatura që do të paguajnë qytetarët mbetet e njëjtë me projektin e parë, plot 2.24 miliardë lekë ose rreth 19 milionë euro.

Madje nëse krahasohet me ofertat e tenderit, që Belinda Balluku e anulloi,  kostoja e projektit të ri do të jetë 20 për qind më e lartë. Gjithashtu mungesa e transperencës e ka mbështjellur në hije dyshimi këtë projekt, pasi deri më sot nuk dihet se kush kompani do ta ndërtojë.

Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Balluku, nuk është transparente duke e mbajtur të fshehtë projektin që parashikon se “Unaza e Re” do të jetë me rrjedhë të ndërprerë trafiku deri në pikën që rrethrotullimi është parashikuar të rregullohet me semafor.

Sipas projektit, për drejtimin Tiranë – Durrës nga tre korsi dalëse nga Tirana, pas kryqëzimit rruga ngushtohet me dy korsi. E njëjta gjë ndodh edhe për drejtimin Durrës – Tiranë, ku trafiku do të shpërndahet në vetëm dy korsi, të cilat më pas rregullohen me semafor dhe kohëndalja e semaforit do jetë deri në 120 sekonda për të rregulluar gjithë lëvizjet në kryqëzim.

Por edhe kjo është një zgjidhje krejt e pazakontë, pasi do ta bëjë lëvizjen për automjetet më të vështirësuar, sepse në të dy drejtimet do të krijohen hinka trafiku që vijnë nga ngushtimi i korsive.

Duke marrë parasysh faktin se nga 17 mln euro projekti i vjetër, shqiptarët do të paguajnë me projektin Balluku plot 19 milionë euro për sheshin “Shqiponja”, vlen ta themi se ministrja e re e Infrastrukturës nuk mund të shmanget nga akuzat për abuzim.





Comments are closed.