Shkuan për t’u pajtuar, por në gjykatë plas sherri/Tufa: Kërko falje! Braho: Unë të fal por…

Seanca për pajtim mes drejtuesit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufës, dhe Spartak Brahos, Arben Dukës, Sabit Brokajt, Fatos Tarifës e Shaqir Vukajt dështoi.

Këta të fundit janë paditur për shpifje nga Tufa, ndërsa Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë në themel padinë, pasi askush nuk pranoi të kërkonte falje, pavarësisht se të gjithë folën për faljen. Gjatë seancës së djeshme, gjyqtari Besnik Hoxha bëri të ditur se ishin në një seancë ndërmjetësimi dhe pyeti Tufën nëse ishte i gatshëm të pajtohej.

Drejtuesi i ISKK-së tha se ishte dakord me pajtimin, por me një kusht, që të akuzuarit nga ana e tij për shpifje të kërkonin falje publike për të gjitha deklarimet e bëra. Duke pretenduar se për një kohë rreth 1 muaj ai ishte fyer dhe ndaj tij ishte shpifur përditë, Tufa tha se vetëm me ndjesë publike mund të mbyllej. Ndërkohë, sa i takon kërkesës që të akuzuarit të kërkonin ndjesë, deputeti Spartak Braho iu përgjigj duke thënë se e falte Tufën dhe ishte i gatshëm për pajtim. Kësaj fjalie iu përgjigj drejtori i ISKK, i cili tha se “Falja ishte gjë e mirë, por fal i dëmtuari”.

Me zgjidhjen e padisë me pajtim ishte edhe avokati i 4 të akuzuarve, Ardian Visha. Ky i fundit tha dje se, me aq sa kishte lexuar padinë, e shikonte situatën si të krijuar nga këndvështrime të ndryshme të historisë dhe nuk kishte materie për çështje penale. “Mendoj se kjo situatë e krijuar ka të bëjë më shumë me këndvështrime të ndryshme të historisë së këtij vendi.

Në këtë përplasje të mendimeve dhe ndjenjave unë nuk gjej vend që të kemi këtë proces gjyqësor. Unë inkurajoj pajtimin, pasi denoncimi nuk ka materie për çështje penale”, tha avokati Ardian Visha.

Në përfundim të pretendimeve të të gjitha palëve nuk u pranua kërkesa e Tufës për të kërkuar ndjesë nga ana e të akuzuarve, duke bërë që Gjykata të kalojë çështjen në gjykim.





Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.