Rama u “mburr”, por ish-ministrja e tij i habit të gjithë: Nesër nuk shkarkojmë Metën!

Deputetja e PS, Mirela Kumbaro thotë se në seancën e nesërme parlamentare, ku do të ketë rreth 5 orë debat për vendimin e kreut të Shtetit Ilir Meta për shtyrjen e zgjedhjeve, mazhoranca nuk do të shkarkojë Presidentin e Republikës.

Ajo tha në RTV Ora se nesër vetëm do të prezantohet një draft rezolutë, mbi të cilin do të debatohet mbi vendimin për ç’drekretim të 30 qershorit si data e zgjedhjeve.

“Nesër nuk ndodh shkarkimi i askujt, nesër propozohet një draft rezolutë, e cila në fakt përmban tema dhe pika të rëndësishme që do të ngjallin edhe për çka do të bëhet debati. Do të jetë një debat intensiv dhe pastaj gjithë proceset e tjera do të ndjekin logjikën e tyre. Ajo që është e rëndësishme nesër është që në foltoren e Kuvendit të diskutohet gjerë e gjatë dhe përballë publikut të gjitha kontestimet që PS ka lidhur me veprimet e fundit të Presidentit”, tha ajo.



Për t’u sqaruar edhe më tepër për këtë test force Rama-Meta, ajo shtoi se PS nuk është tërhequr, por shkarkimi i Presidentit nuk ndodh në një ditë, pasi janë procedura të parashikuara nga rregulloret e Kuvendit dhe Kushtetuta.

“Jo nuk ka tërheqje, ka një proces. Edhe sikur të ishim në një situatë hipotetike apo edhe letrare po të doni shkarkimi i postit të Presidentit nuk ndodh në një ditë. Janë procedura të parashikuara nga rregulloret e Kuvendit dhe Kushtetuta dhe do të ndiqen ato hapa. Ajo që ndodh nesër është debati parlamentar që do të ketë si bosht kryesor gjithë platformën e parashikuar nga draft rezoluta”, nënvizoi Kumbaro.




Comments are closed.