Një ditë pa “Rilindjen”, Erion Braçe bëhet “flamurtari” i PS për ditëlindjen (FOTO)

Zv/kryeministri Erion Braçe ka kaluar në delir në tubimin elektoral që është zhvilluar pasditen e sotme në Divjakë, teksa ka vlerësuar punën e Edi Ramës si kryeministër.

Ai madje u bë flamurtari i PS me rastin e ditëlindjes së 28-të të kësaj force politike, duke lënë të paktën për një ditë mënjanë “Rilindjen”. Kjo pasi, Braçe mbajti mbi supe një flamur të madh me ngjyrën tradicionale të partisë që qeveris vendin.

“Nuk e kam marrë kot me vete këtë flamur. Sot është 12 qershor. Sot është dita e lindjes së Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe do doja që t’i uroja sot ditën e lindjes së PS dhe t’i shprehja mirënjohjen e parë atyre socialistëve nga kjo zonë që u bënë të parët që vendosën firmat si gur themeli në partinë më të madhe e demokratike që ka njohur ky vend”, deklaroi Braçe.



Por, përveç kësaj ai u ndal gjatë te procesi zgjedhor i 30 qershorit, duke kërcënuar me emra Ilir Metën, Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin se nëse cënojnë zgjedhjet do t’i presë burgu.

“Nuk ka zot në këtë vend që mund ti kufizojë shqiptarëve të drejtën e votës. Nëse ndonjë ka lajthitur ndonjë që mendon se ka të drejtën t’i shfuqizojë shqiptarëve të drejtën e votës ta provojë”, tha ai.

Ndër të tjera, Braçe pavarësisht entuziazmit shfaqi edhe shqetësim që duket i pazakontë kur garon në një garë ku kundërshtar ke vetëm veten, pasi iu lut qytetarëve që të marrin njerëz me vete në 30 qershor.

“Secili nga ju në 30 qershor duhet të sjellë siç i kemi ndarë detyrat nga 20, 30 vetë me vete në qendrën e votimit. Duhet të votojmë për PS, për Bashkimin Europian dhe t’i japim fund padrejtësisë. E keni ju me votë të drejtën që të ndani dilemën dhe ta çojmë Shqipërinë në BE. Një thirrje kam, mos mungoni në 30 qershor, nga ora 7 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes, nuk ka për t’iu penguar askush. Ta harrojnë pavarësisht ofiqit dhe mandatit që ka se do të pengojë të votojmë dhe të çojmë përpara Shqipërinë evropiane. Mos harroni 30 qershorin, kujtojani çdo orë, çdo minutë, kujtdo që keni në krah”, tha Braçe.




Comments are closed.