Lëvizja e Metës për datën e re të zgjedhjeve lokale, PS zbulon qëndrimin e saj

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka uruar ditëlindjen 28-të të Partisë Socialiste, ndërsa rithekson edhe njëherë se zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor.

Pak më parë presidenti njoftoi se do nisë konsultimet për të caktuar një datë tjetër, por siç duhet PS është e vendosur që 30 qershori të mos lëvizë.

 “Gëzuar ditëlindjen e 28-të Partisë Socialiste të Shqipërisë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve, e cila sot drejton Shqipërinë tonë në përpjekjen europeiste për të ndërtuar dhe forcuar shtetin modern të së drejtës, sundimin e ligjit dhe parimet e mirëqenies sociale.

Partia Socialiste e Shqipërisë është sot forca politike më e besueshme për partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë në angazhimin e saj qeverisës, demokratizues dhe reformator.

Sot teksa afron 30 Qershori i Zgjedhjeve Vendore, konfirmohet qartë se misioni historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë në gjithë rrugëtimin e saj ka qenë dhe mbetet një shtet shqiptar me institucione funksionale, ku respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit është detyrim i zbatueshëm dhe i barabartë për çdo shtetas shqiptar.

Urime të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste!”, shkruan Balla.

 





Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.