Pompat e naftës/ Vendimi i Gjykatës nuk pengon Ministrinë që të lidh kontratën koncesionare

Projekti për dhënien me koncesion të pompave në stacionet e karburantit ka hyrë në një fazë finale nga Ministria e Financave, ndërkohë çështja prej disa kohësh ka kaluar në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Ishte një kompani zvicerane e quajtur Penzoil që e ankimoi tenderin fillimisht në komisionin e prokurimit publik, i cili ka marrë një vendim përfundimtar përsa i përket fazave të ankimimit si tender.

Më pas çështja u ankimua në Gjykatën Administrative, me pretendimin se kriteret e përcaktuara ishin në kundërshtim me ligjin dhe kufizonin garën, në një kohë që vitin e kaluar qeveria pranoi propozimin e pakërkuar të kompanisë NOA Control për ta transferuar këtë shërbim tek privatët.

Gjykata Administrative e Tiranës, me një vendim të marrë nga gjykatësja Nafije Hasko urdhëroi Ministrinë e Financave të ndryshojë kriteret e tenderit për koncesionin 52 milionë euro të pompave në stacionet e karburantit.

Kjo, pasi sipas saj një pjesë e kritereve të vendosura nga qeveria janë në kundërshtim me ligjin dhe kufizojnë konkurrencën në tender.

Por, a e pengon vendimi i Gjykatës Administrative, lidhjen e kontratës koncesionare?!

Pika e parë është serioziteti i firmës që ka propozuar vitin e shkuar koncesionin. Ajo quhet Noa Control, dhe ndryshe nga ç’pretendohet në ankimimin nga Penzoil, NOA ka një partner ndërkombëtar të fuqishëm në tregun e karburantit si Applus, që është specializuar në procedurat teknike të matjeve.

Ndërkohë, sipas parashikimeve të ligjit për procedurat koncesionare ku vendimet e komisionit ankimohen në Gjykatën Administrative, shoqëria Penzoil është ankuar, por ky ankim nuk sjell bllokimin e procedurave me autoritetin kontraktor, pra Ministrinë e Financave në rastin konkret.

Madje Ministria e Financave duhet të vijojë me procedurën për lidhjen e kontratë, pasi sipas ligjit, vendimet e komisionit janë përfundimtare dhe të detyrueshme për autoritetet.

Gjithsesi, vendimi i Gjykatës nuk ka pezulluar procedurën në tërësi, sepse gjyqtarja nuk ka pranuar masën e sigurisë të kërkuar nga Penzoil. Vendimi i gjykatës por dhe ankimi nuk prek thelbin e procedurës, por vetëm një kriter të garës.

Me shume gjasa, Ministria e Financave do ta ankimojë vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së parë, vendim që nuk është i formës së prerë.

Siç dihet tashmë, Apeli mund te zgjasë mbi 3 vite në Gjykatën Administrative të Apelit, por cilado qoftë e ardhmja e këtij procesi, ai nuk mund të ketë ndikim në procedurën koncesionare në fjalë.

Pra, e thënë më thjesht, Ministria e Financave është e lirë të vijojë me lidhjen e kontratës me NOA Control.

Aktualisht kontrolli i pompave në stacionet e karburanteve vijon të kryhet nga drejtoria e metrologjisë, e cila rezulton të jetë një institucion i degraduar nga korrupsioni.

Gazeta SHQIP





Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.