Refuzoi të merrte përsipër ndeshjen kundër Kosovës, Mali i Zi shkarkon trajnerin serb

Ashtu siç pritej, Ljubisha Tumbakoviç nuk do të jetë më trajner i përfaqësueses së Malit të Zi. Vendimi është bërë publik nga Federata Malazeze e Futbollit e cila reagoi pas incidenteve që shkaktuan kaos para ndeshjes së djeshme përballë Kosovës.

Tekniku serb, bashkë me ndihmësin e tij të parë dhe dy futbollistë me origjinë serbe, refuzuan të luajnë kundër Kosovës, pasi nuk përballuan dot presionin e bërë nga qarqet e ultrasve serbë, në ditët para këtij takimi.

E ndërkohë që për trajnerin erdhi vendimi final, nuk dihet ende se cili do të jetë fati i futbollistëve të Crvena Zvezdës, Mirko Ivaniç dhe Filip Stojkoviç, për të cilët flitet se pritet të përjashtohen përgjithmonë nga përfaqësuesja malazeze.

Mali i zi u drejtua mbrëmë nga dy ndihmësit malazezë të Tumbakoviç dhe arriti të marrë një barazim 1-1 përballë Kosovës, në një sfidë ku “Dardanët” ishin dukshëm superiorë, por shpërdoruan shumë përpara portës vendase.









Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.