Euro 2020/ Shqipëria del huq në Rejkjavik, trajneri i ri me plagë të vjetra

Trajner i ri, por probleme të vjetra për Shqipërinë, që edhe në Islandë krijoi volum loje dhe disa raste shënimi, por nuk konkretizoi dhe u ndëshkua në të vetmin rast të mirë të kundërshtarëve, duke humbur me rezultatin minimal 1-0 dhe duke u kthyer nga Reikjaviku “duarbosh”.

Pavarësisht entuziazmit që kishte sjellë Edi Reja mes kuqezinjve, por edhe skemës së re të përdorur në fushë, Shqipëria vuajti sërish mungesën e pasimit të fundit, duke mos krijuar në raste, volumin e lartë të lojës që krijon.

Sfida nisi mirë për kuqezinjtë, që morën kontrollin e lojës dhe dhanë shkëndijën e parë të rrezikshme, me Hysajn që u shërbye në zonë dhe gjuajti menjëherë me të majtën, por goditja ishte qendrore dhe u grushtua nga portieri vendas.

Kuqezinjtë vijuan të kenë kontrollin e lojës, por në minutën e 22-të u ndëshkuan nga Sigmundsson, i cili përfitoi nga një hutim i mbrojtësve shqiptarë dhe doli përballë Berishës, duke dërguar topin në rrjetë, ndonëse me një gjuajtje të dobët.

Të besuarit e Edi Rejës për këtë ndeshje, u përpoqën të reagojnë dhe iu afruan disa herë portës islandeze, por pa arritur të kërcënojnë seriozisht atë. Pjesa e parë u mbyll me një goditje dënimi mbi vijën e 16 metrave për kuqezinjtë, e cila u ekzekutua nga Lenjani dhe u përplas në murin mbrojtës.

Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, ku kuqezinjtë tentuan disa herë t’i afrohen portës kundërshtare, por krosimet e ardhur nga krahu, nuk patën saktësinë e duhur. Reja u mundua të freskojë mesfushën, duke hedhur në fushë Ndojin dhe Kaçen, por që pak ndryshoi në lojën e tanëve.

Në minutën e 80’ erdhi radha që në fushë të zbresë edhe golshënuesi më i mirë i kuqezinjve, Armando Sadiku, i cili mori vendin e Cikalleshit, ndërsa dy minuta më vonë, ishte Ndoji që u lirua në hyrje të zonës, por goditja e tij përfundoi mbi kuadrat.

Minutat e fundit patën vetëm dëshirë të kuqezinjve për të gjetur golin e barazimit, por aksionet nuk ishin të rrjedhshme dhe lexoheshin lehtësisht nga islandezët, të cilët u vendosën në gjysmëfushën e tyre, për të ruajtur avantazhin.

Kjo ishte ndeshja e tretë e Shqipërisë në këto eliminatore, dy prej të cilave i ka humbur dhe aktualisht renditet në vendin e katërt, me vetëm 3 pikë, të cilat i ka marrë në transfertën ndaj Andorrës.

Sfida e radhës për Shqipërinë do të jetë pas 3 ditësh në “Elbasan Arena”, këtë herë përballë rivalit tjetër modest të grupit, Moldavisë, një kundërshtar ndaj të cilit marrja e 3 pikëve është detyrim.









Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.