Nga Kashari në Rinas me tren, ja projekti i fundit (FOTO)

Brenda vitit 2019 do të nisin punimet që Shqipëria të ketë linjën e parë hekurudhore moderne, me hekurudhën Durrës-Rinas-Tiranë që do të jetë një alternativë komode për të lëvizur në drejtim të kryeqytetit dhe qytetit bregdetar.

Për vitin e parë të punimeve është parashikuar financimi në masën e 1.4 miliardë lekëve, nga të cilat 1 miliardë janë grant i Fondit të Investimeve të Bashkimit Evropian, ndërsa 400 milionë lekë nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërkaq, edhe qeveria shqiptare, e cila ka marrë përsipër të mbulojë kostot e TVSH-së ka akorduar 200 milionë lekë për vitin 2019.



Linja e rehabilituar Tiranë-Durrës do të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h.

Por risia është linja e re që do të shtohet dhe ajo fillon në km e 27-të nga Durrësi dhe përfundon me një terminal pasagjerësh në Aeroportin “Nënë Tereza”.  Vendndodhja e zonës së ndërtimit, praktikisht i bie të nisë në zonën e Kasharit, çka do ta kthente periferinë e Tiranës në një qendër të rëndësishme përsa i përket shpërndarjes së lëvizjes së udhëtarëve.

Sipas projektit që zotëron Gazeta Shqip emërtimi i objektit që do të ndërtohet është: “Linja Hekurudhore Kashar – Aeroporti Rinas”, që kalon pranë fshatrave Domje, Bërxullë e Brukë.

Gjurma e realizuar pasi përshkon linjën Durrës – Tiranë në afërsi të fshatit Bërxull në Lindje të tij, kalon në perëndim të fshatrave Domje, Laknas dhe Dritas duke përfunduar në terminalin e Rinasit me një gjatësi gjurme 5+697m – 0+816m.

Pavarësisht se nuk është vendosur ende, çmimi i biletës pritet të kushtojë nga 1-1.2 euro, ndërsa punimet pritet të mbyllen në fund të vitit 2020.

Linjat e reja pritet të rrisin efikasitetin dhe sigurinë e transportit hekurudhor të mallrave e të udhëtarëve, por do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të zonës ekonomike të rajonit të Durrësit, Tiranës dhe të gjithë vendit.

Veçanërisht, linja e re që nis në Kashar, do të sjellë zhvillim në turizmin lokal, pasi ka një potencial të vyer arkeologjik përgjatë saj, si Kalaja e Prezës, Kalaja e Dorësit dhe Kalaja e Vilës.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.