Jo Vangjush Dako, por i gjithë sistemi dhe klasa politike para gjyqit

Nga Mentor KIKIA

Ndryshe nga sa tha Z.Basha, përgjimet e publikuara nga “Bild” nuk i tronditën fare shqiptarët. Të huajt po, por neve jo!

Sepse ne i dinim këto, kemi vite që i dëgjojmë, i përjetojmë, i shikojmë, i ndjejmë deri në palcë, derisa u familjarizuam. Si i sëmuri që bashkejeton me atë sëmundjen që ia merr shpirtin pak e nga pak.

Ajo që po publikohet për Shijakun, është e njëjta me atë që ka ndodhur në çdo proces zgjedhor, në çdo qytet. Nëse do të ishin përgjuar të gjithë kandidatët, sot do të kishim mijëra CD me të tilla shprehje “ho mo vllai, ja çove kafen çunave?”

Sepse kështu kanë vepruar të gjitha partitë, pa përjashtim. U nis me trasta me ushqime e thasë me miell na 1996, pastaj me para në dorë, me vende pune, me favore dhe presione, shembje e legalizime shtëpishë, licensa dyqanesh, leje ndërtimi, subvencione e deri tek koncensionet e PPP-të sot.

Të gjitha partitë, pa asnjë përjashtim, në mënyrë sistematike, larguan nga radhët e kandidatëve dhe forumeve drejtuese intelektualët dhe i bënë gjithnjë e më shumë vend banditëve, të pasurve, ndërtuesve, tregtarëve- të gjithë pa asnjë lidhje me politikën – derisa parlamenti përfundoi ky është(ishte) deri para tre muajsh. 80% e deputetëve as dinë të shkruajën e as dinë të lexojnë një fjalim. Këta të fundit janë modeli historik i injorancës.

Blerja e votës dhe ofrimi i të fortëve në zyrat elektorale, ndodhi në mënyrë sistematike, sa sot nuk do ti bënte përshtypje askujt nëse në zyrat elektorale sot do të shpërndaheshin fare legalisht kupona ushqimesh apo tollona karburanti për vota.

Ndaj ajo që po dëgjojmë sot për Shijakun, është vetëm një puçër në trupin e qelbur të politikës sonë. E gjithë fushata elektorale, në çdo proces zgjedhor, në çdo qytet, ka qenë një pazar i madh me paratë e korrupsionit dhe krimit. E gjitha politika është bazuar në dilemën “o votën, o venin e punës”.

Ndaj sot askush nuk habitet. As Basha, as Meta, as Rama, dhe padyshm as ne të tjerët.

Sepse ky është sistemi ynë, i cili duhet nxjerrë i gjithi para gjyqit. Duke filluar me listat e hapura, që janë shndërruar në ankand financiar për kryetarët e partive.









Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.