Dosja “339”/ Përse duhet të hetohet prokurori “spiun” Besim Hajdarmataj?!

Besim Hajdarmataj është një prej prokurorëve më të lakuar të viteve të fundit. Së pari, ai u bë i njohur se kishte në duar dosje hetimore me impakt të madh në publik, një prej të cilave edhe dosja “339”, në të cilën është i implikuar kryebashkiaku i Durrësit, Vangush Dako, teksa bisedonte me një grup kriminal, grup, i arrestuar nga Policia për kryerjen e disa veprave penale.

Në fakt, prokurori Besim Hajdarmataj ka qenë i pari prokuror që ka hetuar për këtë dosje. Por si nisi hetimi për këtë çështje?

Dosja “339” është regjistruar në Prokurori në 28 dhjetor të vitit 2016, me prova dhe fakte të Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Kavajës me akuzat për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.

Prokurori i parë i dosjes ka qenë Anton Martini, që e ndau në dy pjesë këtë dosje, sepse personat e implikuar nuk ishin vetëm nga Kavaja (ky ishte argumenti i atëhershëm për ndarjen e dosjes).

Pas gati një viti, që kjo dosje ishte depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por sigurisht për arsye ngarkese dhe për më tepër që nuk kishte persona të ndaluar dhe hetimet kishin kohën e tyre, në 20 nëntor të vitit 2017, prokurori Besim Hajdarmataj dhe Dritan Prençi bashkojnë tek ky procedim edhe një procedim tjetër me numër 38, po të vitit 2017.

Nuk dihen detaje, se përse u bashkuan këto procedime. Por, këtu, pikërisht në këtë datë futet në lojë Hajdarmataj me hetimet e tij. Pas një përgjumjeje të kësaj dosjeje, në 5 mars të vitit 2018, prokurori Besim Hajdarmataj që e mori në shqyrtim dosjen ka shtuar në këtë procedim edhe dy vepra penale.

Koha kalonte dhe pas 5 muajsh, pikërisht në 14 gusht të vitit 2018, kur të gjithë ishin me pushime dhe pak punonin në sistemin e Drejtësisë, (duhet theksuar se Prokuroria dhe Gjykatat i marrin pushimet në të njëjtën kohë, me përjashtim të prokurorëve të gatshëm) Besim Hajdarmataj ka shtuar në dosje edhe dy vepra penale, që lidhen me zgjedhjet. Në 15 shtator, çështjen e morën për hetime të mëtejshme Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët i kanë bashkuar sërish procedimet në një të vetme, atë për narkotrafik dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

Dhe kjo ka ndodhur, pikërisht atëherë kur Besim Hajdarmataj ka qenë drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ka kryer hetime konkrete me dosjen “339”. Por, ajo që ka lënë pas dore kanë qenë transkriptimet e CD-ve. Edhe pse ka qenë në dijeni të përgjimeve për korrupsion në zgjedhje, nuk i ka shoqëruar përgjimet me asnjë veprim tjetër hetimor, duke bërë të pamundur hetimin e personave përgjegjës, ose thënë ndryshe, personave konsumues të veprave penale. Në momentin e dorëzimit të dosjes tek prokurorët e tjerë, Besim Hajdarmataj ka lënë 624 CD dhe 115 DVD të pazbardhura.

Gjithsesi, procedurat e hetimit nuk kanë shumë rëndësi në këto rreshta. Ajo që mund të jetë një tjetër çështje për diskutim ka të bëjë me faktin, nëse duhet hetuar prokurori Besim Hajdarmataj?

Sepse, më shumë se hetimi për dosjen “339”, ai është “kujdesur” që dosja me fakte dhe me shumë CD e DVD me përgjime, të dilte nga zyra e organit hetimor, sesa të shkonte në dyert e Gjykatës dhe të shkonin përpara Drejtësisë personat që kishin konsumuar veprat penale.

Kjo dosje voluminoze, ka mbërritur në zyrat e Partisë Demokratike, dhe më pas drejt medias. Publikimi i kësaj dosjeje në media është pozitive nëse e shikon në njërin krah, por nga ana tjetër mosveprimi i Hajdarmatajt për të çuar në gjykatë këtë dosje është negative, edhe pse për motive që ende nuk janë sqaruar dhe që i vetmi që mund të hedhë dritë është prokurori.

Por tashmë lind natyrshëm pyetja. A duhet të hetohet Besim Hajdarmataj për dosjen “339”, ndaj të cilit ligjërisht duhen ngritur dy akuza; e para nxjerrja e sekretit hetimor dhe e dyta tejkalim i afateve për të dërguar dosjen në gjykatë, për shqyrtim të mëtejshëm gjyqësor?! Në fakt ka qenë pikërisht kjo çështje, e cila ka tronditur Qeverinë, por edhe që ka orientuar aksionin politik të opozitës, madje deri në djegien e mandateve. Tashmë dosja me përgjime i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, qoftë edhe me media, sikurse rasti i fundit publikimi në gazetën gjermane “Bild”. Ndërsa Prokuroria po këmbëngul për të gjetur “tradhëtarët” brenda radhëve të saj dhe gishti drejtohet tek Besim Hajdarmataj, hetimi ndaj të cilit do të ishte një shenjë e mire. Jo vetëm kaq, por edhe risi se askush nuk mund të luajë me dosjet e Prokurorisë, apo publikimin e dosjeve.

Por pavarësisht nga kjo, dosja “339” ka fakte dhe prova. Çka nuk e shpëton në asnjë rast Vangjush Dakon nga krimi i vjedhjes së votave.

Gazeta SHQIP









Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.