U mbyll nga vettingu/ Euralius, skemë provizore për zhbllokimin e Gjykatës së Lartë

Mjaft çështje emergjente rrezikojnë të mbyllen në kushtet kur dy gjyqtarët e vetëm të Gjykatës së Lartë janë në pamundësi për të formuar qoftë edhe një trupë gjyqësore të vetme.

Mosshqyrtimi i rekursit për ekstradimet si edhe disa masa sigurimi personale pritet të sjellin lirimin e disa të dyshuarve e për këtë rënia e Gjykatës së Lartë është bërë shkak diskutimesh mes ekspertëve.

Siç pohojnë burime të sigurta të Top Channel, misioni Euralius që financohet nga Bashkimi Evropian pritet t’i rekomandojë Këshillit të Lartë gjyqësor një skemë provizore, përmes të cilit synohet të mbushet Gjykata e Lartë.

I njëjti burim tregoi në rrugë jozyrtare se sugjerimi i Euralius bën fjalë për aplikimin e skemës së delegimit të përkohshëm të anëtarëve të gjykatave më të ulëta, për të formuar trupë gjyqësore të përkohshme në Gjykatën e Lartë derisa të riformohet numri i tre kolegjeve, të cilat tashmë janë zhbërë për shkak të Vetting-ut.

Por, ndërsa gjykatat zbrazen, zyrat vazhdojnë të mbushen me dosje. Këtë të hënë numri i dosjeve që ka mbërritur në 31 591 çështje për të cilat nuk mund të llogaritet se kur do të nisë gjykimi i tyre.

Afroviti nuk pranon të identifikohet me argumentin se gjithë jetën ka punuar prokurore dhe nuk është mirë ta paragjykosh drejtësinë. Por, në moshën 83-vjeçare ajo nuk ka marrë ende drejtësi megjithë vitet që ikin: “Jam 83 vjeç, nuk vdes pa marrë pronat, e kam në mënyrë figurative këtë që po them, por jo kam lidhur kontratë me zotin dhe vdekjen”.

Por, a do jetë drejtësi e mohuar drejtësia e vonuar që do të jepet për Afrovitin, përsa kohë nuk ka gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.

Në Gjykatën e Lartë janë në detyrë vetëm Xhezair Zaganjori dhe Ardian Dvorani, ndërsa numri i anëtarëve duhet të jetë 19.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.