Shifrat alarmante/45% e punonjësve në shtet me arsim 8-vjeçar dhe të mesëm

Sektori publik numëroi rreth 170 mijë të punësuar në fund të vitit të kaluar, por më shumë se 45 për qind janë me arsim 8-9 vjeçar dhe të mesëm, teksa vetëm gjysma e punonjësve në sektorin publik janë me arsim të lartë.

Sipas të dhënave të INSTAT numri i personave me arsim fillor ka ardhur në rënie të dukshme gjatë dekadës së fundit.

Në vitin 2000 në sektorin publik ishin të punësuar mbi 190 mijë persona, ku 15 për qind e tyre ose mbi 30 mijë persona ishin me arsim 8-vjeçar. Në fund të vitit 2018 vetëm 7 për qind e punonjësve të sektorit publik ishin me arsimin fillestar.



Pas vitit 2000 kanë pësuar rënie edhe punonjësit me arsim të mesëm, të cilët aktualisht përbëjnë  38 për qind të totalit, nga 49 për qind në fillim të viteve të 2000.

Nga ana tjetër është rritur dukshëm pjesa e të punësuarve me arsim të lartë që në fund të vitit 2018 përbënin gati 54 për qind të totalit te të punësuarve në shtet.

Pas vitit 2007 qeveritë forcuan kriteret e arsimit për pranimin në administratë, duke i stimuluar më paga më të larta. Gjithashtu në sektorin e shëndetësisë u vunë si kushte diplomat e arsimit të lartë dhe masterat e nivelit të dytë.

Forcimi i kritereve sa i përket diplomave dhe shpërthimi  i universiteteve private gjatë dekadës së kaluar e rritën numrin e personave me arsim të lartë në shtet.

Me gjithë rritjen e cilësisë arsimore, administrata shqiptare vuan nga mungesa e eficencës dhe një burokraci e lartë.

Ndryshimi i shpeshtë e i punonjësve në sektorin publik si pasojë edhe rrotacioneve politike e ka dëmtuar profesionalizimin dhe ekspertizën.

Raportet e Monitorimit nga Bashkimi i Europian dhe partnerë të tjerë si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar theksojnë në mënyrë të vazhdueshme se sektori publik në Shqipëri ka nevojë të reformohet, duke e konsideruar këtë si mjetin kryesor për të përmirësuar shërbimet publike.





Comments are closed.